Donald Trump do të takohet me Vladimir Putinin jashtë takimit të planifikuar trepalësh me Xi Jinping, në kuadër të samitit të APEC-ut në Shenzhen të Kinës.
Këshilltari presidencial rus Yuri Ushakov, citohet të ketë deklaruar në një intervistë se të dy udhëheqësit do të zhvillojnë bisedime të thella dhe mund të takohen disa herë gjatë samitit.
"Kur udhëheqësit të takohen, më besoni, ata do të zhvillojnë një bisedë të plotë. Pavarësisht nëse janë ulur në një kolltuk, në një karrige, në një stol, apo thjesht në këmbë, duke parë njëri-tjetrin në sy. Takimi do të ndodhë, do të ndodhë", tha Ushakov, duke theksuar se formati i bisedimeve nuk do të ndikojë në përmbajtjen e tyre.
Një takim 'kokë më kokë' Trump-Putin u konfirmua dhe nga një zyrtar amerikan, i cituar nga Neë York Times. Mbetet e paqartë, nëse takimi do të zhvillohet para apo pas bisedimeve trepalëshe me Xi Jiping.
Hera e fundit që ata u takuan ishte më 15 gusht 2025 në Anchorage të Alaskës, në bazën ushtarake Joint Base Elmendorf–Richardson.
Ky samit, i cili zgjati rreth tre orë, kishte në fokus gjetjen e një zgjidhjeje për luftën në Ukrainë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.
Kjo ishte gjithashtu vizita e parë e Putinit në Shtetet e Bashkuara pas një dekade dhe takimi i tij i parë ballë për ballë me Trumpin që nga viti 2019.
Lajmi kryesor:
Kina në qendër të diplomacisë botërore, Trump, Putin dhe Xi Jinping bashkë në Shenzhen! Dy orë bisedime për rendin botëror, nesër samiti trepalësh (VIDEO)




