Rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm, kryeqyteti turk, Ankaraja është zhytur në terror që përfshiu qendrën e saj, nga një atentat i dyfishtë, i cili shkaktoi të paktën 86 të vdekur. Para stacionit kryesor të trenave, mes grumbullimit të qindra protestuesve të ardhur nga anë e mbanë vendit po nisnin të përhapeshin kudo për të qënë të pranishëm në thirrjen e lëvizjes të së majtës, mbështetëse e kauzës kurde, në një demonstrim të madh për paqen.

Papritur, dy shpërthime të fuqishme tronditën sheshin përballë stacionit të trenit.

ankara shperthimi

“U dëgjua një shpërthim i fuqishëm, disa sekonda më pas një më i lehtë dhe më pas u përhap kudo paniku”, tregon Ahmet Onen, një pensionist 53 vjeç, para se të largohej shpejt nga vendngjarja me bashkëshorten e tij, e cila nisi të qante me dënesë.

“Kam parë një burrë që kishte humbur një këmbë, që përpëlitej në tokë. Kam parë gjithashtu një dorë të shkëputur mbi asfalt”, tregon një tjetër dëshmitar, Sahin Bulut, 18 vjeçar, anëtar i Shoqatës së Inxhinierëve të Stambollit, pjesëmarrës në protestë.

Dy orë pas shpërthimeve, forcat e rendit të pajisura me jelekë antiplumb dhe armë automatike në duar rrethuan zonën, e dorëzuar tashmë tek njerëzit me kominoshe të bardha të policisë mjeko-ligjore, që po analizonin terrenin, në kërkim të copëzave të vogla.

Disa trupa janë vendosur në asfalt, të mbuluar me flamujt e partisë kryesore prokurde të Turqisë, Partia Demokratike e Popujve (HDP), ose të partive të tjera, OJQ-ve dhe sindikatave, ideatore të këtij tubimi.

ankara shperthimi

Kudo dëgjoheshin sirenat e ambulancave që transportonin të plagosurit drejt spitaleve të Ankarasë. Referuar një bilanci të fundit, ende paraprak, publikuar nga autoritetet, 86 persona rezultojnë të vdekur dhe qindra të plagosur rëndë.

”Dua të shoh” 
 
Në mesin e rrënojave dhe të kufomave, toptha të vegjël çeliku, të përdorur gjërësisht për të përkeqësuar ndikimin e bombave, mbulonin sipërfaqen.

“Kishte persona që kishin vdekur menjëherë, disa të tjerë që ishin plagosur në gjendje të rëndë. Ishte një masakër e vërtetë”, psherëtin një avokat rreth të tridhjetave, i cili kishte ardhur për t’iu bashkuar protestës, pa dashur të identifikohet.

“Një erë e mishit njerëzor dhe e tymit përhapej përreth stacionit të trenit”, tha ai.

Përreth vendngjarjes, dhjetëra persona të traumatizuar në përpjekje për të rigjetur të afërmit e tyre. Në mesin e të cilëve, një djalë i ri, i cili kafshon thonjtë në ankth, pyet këdo që kalon aty pranë.

Ju e keni parë ? “Ju e keni parë atë ? Ai quhet Gokhan, ai ishte me mua”, i pyet ai me ton këmbëngulës. “Unë dua ta shoh, kërkoj ta shoh”, thërret pak më tutje një grua e veshur me kostumin tradicional kurd, në kërkim të të afërmit të saj. Pa takt, policia e shtyn atë jashtë perimetrit të sigurisë.

Në radhët e të mbijetuarve ka të tronditur, të kapluar nga zemërata. Shumica akuzojnë forcat e rendit se nuk kanë mundur të vendosin në mënyrë korrekte sigurinë e këtij tubimi. Asnjë nja pjesëmarrësit e ardhur në protestë nuk është kontrolluar nga agjentët”, ankohet Ahmet Onen.

Një grup manifestuesish i kërkojnë llogari një drejtuesi të policisë duke hasur kundërshtinë e forcave të rendit, të cilat gjuanin me armë në ajër për të shpërndarë turmën.
“Unë nuk kam parë kurrë një situatë të ngjashme në jetën time”, shprehet një polic para disa autoveturave të policisë të vandalizuara nga protestuesit.(Nga Burak Akinci) ATSH


Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)