Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të përshpejtohet gjatë vitit 2026 dhe të forcohet më tej në vitin 2027, e mbështetur nga konsumi dhe investimet. Ekonomitë e rajonit kanë treguar qëndrueshmëri përballë goditjeve të jashtme dhe po vijojnë procesin e afrimit me Bashkimin Evropian.
Megjithatë, për të nxitur krijimin e vendeve më cilësore të punës, bizneset kanë nevojë për rregulla dhe procedura tregtare më efikase, të cilat t'u mundësojnë të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare. Ky është një nga përfundimet kryesore të raportit të ri të Bankës Botërore, Raporti i Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, i publikuar sot.
Sipas parashikimeve, rritja mesatare ekonomike në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi pritet të arrijë në 3,1% në vitin 2026, nga 2,6% që ishte në vitin 2025. Në vitin 2027, rritja ekonomike parashikohet të përshpejtohet në 3,4% dhe të ruajë të njëjtin nivel edhe në vitin 2028.
“Në një periudhë të karakterizuar nga pasiguria e lartë gjeopolitike dhe rritja e dobët ekonomike e partnerëve kryesorë tregtarë, Ballkani Perëndimor ka dëshmuar sërish qëndrueshmëri ekonomike”, deklaroi Xiaoqing Yu, drejtoreshë e Divizionit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, sipas saj, qëndrueshmëria nuk mjafton për të përshpejtuar afrimin e rajonit me nivelin mesatar të të ardhurave në Bashkimin Evropian apo për të krijuar vendet cilësore të punës për të cilat kanë nevojë qytetarët.
“Vendet e punës krijohen nga një sektor privat dinamik. Faza e ardhshme e rritjes kërkon rregullim efikas dhe të parashikueshëm, si dhe eliminimin e barrierave tregtare, jo vetëm në kufi, por edhe brenda tregjeve”, theksoi Yu.
Parashikimet e Bankës Botërore tregojnë se ekonomitë e rajonit do të vijojnë të rriten, por me ritme të ndryshme.
Sipas raportit, Shqipëria pritet të shënojë rritje ekonomike prej 3,4% në vitin 2026, pas rritjes prej 3,7% në vitin 2025. Për vitet 2027 dhe 2028, rritja parashikohet të përshpejtohet përkatësisht në 3,6% dhe 3,7%.
Në Kosovë, ekonomia pritet të rritet me 3,6% në vitin 2026, ndërsa në vitet 2027 dhe 2028 ritmi parashikohet të arrijë përkatësisht në 3,8% dhe 3,9%.
Për Malin e Zi, parashikimi për vitin 2026 është rritje prej 3,3%, ndërsa për Maqedoninë e Veriut 3,2%. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, ekonomia pritet të rritet me 2,4%, ndërsa në Serbi me 3,1%.
Për vitin 2027, Serbia parashikohet të regjistrojë rritjen më të lartë ndër ekonomitë e rajonit, me 3,7%, e ndjekur nga Shqipëria me 3,6% dhe Kosova me 3,8%.
Në tërësi, gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor pritet të shënojnë rritje prej 3,1% në vitin 2026, përpara se ritmi të arrijë në 3,4% në dy vitet pasuese.
Pavarësisht progresit të bërë në liberalizimin e tregtisë, barrierat rregullatore dhe procedurat administrative vijojnë të krijojnë kosto të konsiderueshme për kompanitë në rajon.
Sipas Bankës Botërore, tregtia e mallrave dhe shërbimeve arriti në 107% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të rajonit në vitin 2025, një nivel më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, prej 90%.
Ndërkohë, eksportet e shërbimeve janë katërfishuar në periudhën 2010–2025, duke dëshmuar zgjerimin e lidhjeve ekonomike të rajonit me tregjet ndërkombëtare.
Megjithatë, raporti thekson se përfitimet nga ky integrim mund të jenë edhe më të mëdha nëse reduktohen kostot e panevojshme që lidhen me procedurat dhe rregullat brenda tregjeve.
Tarifat mesatare për mallrat e importuara në Ballkanin Perëndimor janë rreth 6%, ndërsa masat jotarifore shtojnë një kosto tjetër prej rreth 10% mbi importet. Në disa sektorë të produkteve bujqësore dhe ushqimore, këto kosto kalojnë 20%.
Kufizimet që lidhen me tregtinë ndërkufitare të shërbimeve janë edhe më të larta, duke arritur në rreth 29%, sipas vlerësimeve të raportit.
Ndër pengesat kryesore përmenden kërkesat e panevojshme për licenca dhe autorizime, kontrollet e përsëritura, procedurat e certifikimit dhe detyrimi për të pasur një prani fizike në tregun ku ofrohen shërbimet.
Sipas simulimeve të Bankës Botërore, eliminimi i gjysmës së barrierave të mbetura ndaj importeve mund të rrisë PBB-në e rajonit deri në 12,5% në periudhën afatmesme.
Kostot e larta të importeve ndikojnë edhe në aftësinë e kompanive të rajonit për të eksportuar dhe për të ruajtur praninë në tregjet ndërkombëtare.
Sipas raportit, vetëm rreth një e treta e bizneseve të Ballkanit Perëndimor që nisin aktivitete të reja eksporti arrijnë të mbijetojnë gjatë vitit të parë. Ndërkohë, vetëm 1% deri në 4% e tyre arrijnë të vijojnë aktivitetin deri në vitin e pestë.
Kjo paraqet një sfidë të rëndësishme për tregun e punës, pasi kompanitë e përfshira në tregtinë ndërkombëtare punësojnë pjesën dërrmuese të punonjësve të industrisë përpunuese në rajon.
Për më tepër, këto kompani priren të jenë më të mëdha dhe të ofrojnë paga më të larta sesa bizneset e ngjashme që operojnë vetëm në tregjet e brendshme.
Për këtë arsye, përmirësimi i kushteve për eksportuesit shihet si një element i rëndësishëm jo vetëm për rritjen ekonomike, por edhe për krijimin e vendeve më të qëndrueshme dhe më mirë të paguara të punës.
Raporti rekomandon që qeveritë e rajonit të përqendrohen te përmirësimi i cilësisë së rregullimit, dhe jo thjesht te reduktimi i numrit të rregullave.
Ndër masat e propozuara janë thjeshtimi dhe digjitalizimi i procedurave administrative, përdorimi i kontrolleve të bazuara në vlerësimin e riskut, njohja reciproke e standardeve dhe kualifikimeve të harmonizuara, si dhe ruajtja e masave mbrojtëse që shërbejnë për objektiva legjitime publike.
Sipas Bankës Botërore, zbatimi i këtyre reformave do t'i ndihmonte bizneset të shfrytëzonin më mirë aksesin në tregjet ndërkombëtare, të rrisnin konkurrueshmërinë dhe të zgjeronin aktivitetin ekonomik.
Në kushtet kur Ballkani Perëndimor synon të përshpejtojë konvergjencën ekonomike me Bashkimin Evropian, ulja e kostove tregtare dhe përmirësimi i klimës së biznesit mbeten ndër faktorët kryesorë për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të krijuar vende pune më cilësore në vitet e ardhshme.





Komente
Komento