Tirane- Imazhe që janë dëshmi e agresionit rus në Ukrainë do të ekspozohen përgjatë një muaji në Kryeministri.
“Kur lufta filloi në Ukrainë 2 vjet më parë mendova se duhet të dokumentonim atë që bënin dhe bëjnë rusët aty. Dhe bëmë një thirrje të hapur në Fotoevidens për të gjithë fotoreporterët që punojnë në Ukrainë dhe morëm mbi 6 mijë imazhe”, shprehet kuratorja e ekspozitës, njëherazi fotoreporter, Svetlana Bachevanova.
50 imazhet tronditëse që ekspozohen në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Kryeministri si “Ukraina: Një krim lufte”, janë realizuar nga fotoreporterë nga e gjithë bota. Imazhet vijnë të shkëputura nga libri me të njëjtin titull, ku përfshihen 360 fotografi e 30 dëshmi nga 93 fotoreporterë të 29 vendeve të ndryshme.
“Kjo ekspozitë tregon histori intime të të mbijetuarve, të dëshmitarëve të krimeve të tmerrshme të kryera aty”, shton më tej Bachevanova.
Kuratorja Svetlana Bachevanova dhe fotoreporteri i luftës Christopher Oçhicone i rrëfejnë fotografitë këtë mes jave në COD, jo thjesht si dëshmi e pasojave tragjike, por edhe si prova të krimeve të luftës.
“Sa i përket ditës më të ngarkuar, kujtoj ditën kur rusët po largoheshin nga Buça. Dias nga miqtë e mi më nisën disa video. Ishin pamje të ushtarëve që spastronin qytetin. Siç e shikoni në fotografi janë disa civilë që janë ekzekutuar. Unë dhe një koleg tjetër i imi morëm makinën dhe shkuam atje, ishim vetëm 10 kilometra larg. Dhe, numri i automjeteve të shkatërruara ruse ishte mbresëlënës. Aty kuptoje madhësinë e pushtimit dhe çfarë kishin arritur të bënin ukrainasit”, tregon fotoreporteri luftës Christopher Oçhicone.
Fotoreporterët e Fotoevidence sjellin në këtë ekspozitë të gjitha aspektet e sulmeve të Rusisë në Ukrainë gjatë vitit të parë, përfshirë edhe rezistencën e ukrainaseve për të mos u dorëzuar.
“Ishte një rrugë, që kishte pafund të civilë të ekzekutuar që ne i shikonim me sy. Nuk kishte asnjë tingull, asnjë zhurmë, dukej sikur edhe natyra ishte ngritur kundër këtyre akteve të neveritshme. Dhe kush i pastronte këto trupa?! Vetë njerëzit. Nuk kish kush përgjigjej tjetër. Me një automjet filluan ti mblidhnin dhe mbaj mend shushuritjen e këtyre qeseve kur mblidheshin trupat, ata vinin dorezat dhe pastronin duart me alkool, dhe qentë hanin kufomat...”, thotë më tej fotoreporteri.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun nga 23 shkurt deri në 23 mars.