'Trupat po digjen ditë e natë': Shtohen varrezat për mercenarët e Wagner-it në Rusi

'Trupat po digjen ditë e natë': Shtohen varrezat për mercenarët e Wagner-it në Rusi

Varre të trupave të pjesëtarëve të grupit Wagner

Në një fshat të vogël në jugperëndim të Rusisë, trupat e luftëtarëve të grupit mercenar rus Wagner, janë duke u djegur në një varrezë specifike e cila po vazhdon të rritet, duke vënë në pah rritjen e numrit të viktimave të këtij grupi në Ukrainë.

Sipas të intervistuarve, incizimeve dhe vizitës së një korrespodenti të Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë në atë zonë, më shumë se 300 luftëtarë janë varrosur në këtë qendër prej kur ka nisur lufta e Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022. Sipas të dhënave, varrezat janë duke u zgjeruar shpejt muajve të fundit. Kjo rritje është raportuar në kohën kur ka ndodhur ofensiva e përgjakshme ruse në lindje të Ukrainës, ku grupi mercenar ka luajtur rol kyç.

Përafërsisht 50.000 luftëtarë nga kompania mercenare Wagner besohet se janë në Ukrainë. Qeveria amerikane ka vlerësuar që më shumë se 10.000 pjesëtarë të këtij grupi kanë vdekur në luftë, krahas pjesëtarëve të ushtrisë ruse. Pjesa më e madhe e këtyre mercenarëve janë të burgosur që janë rekrutuar për të luftuar në këmbim të lirimit nga burgu. Grupi rus për të drejta të njeriut, Rusia mbrapa grilave, beson që rreth 40.000 të burgosur janë rekrutuar për të luftuar për grupin deri më tani, derisa Qeveria amerikane beson se 90 për qind e mercenarëve janë të burgosur.

Gjatë një udhëtimi të realizuar së fundi në Bakuskaja, gjurmët e varrezave të sapohapura kanë qenë lehtë të vërejtshme, ashtu sikurse hapësirat ku dërgohen mbetjet e djegura. Para shumë varrezave shihen çmimet e ndara dhe lule. Ndonëse në një pjesë të madhe të varrezave ka kryqe ortodokse, në disa tjera shihen edhe gjysmëhëna islame. Përveç shenjave të zisë, banorët lokalë kanë thënë se nuk kanë parë shërbime të organizuara të funeraleve në këtë zonë.

“Ata varrosin 16 persona brenda ditës në varrezë… Ata i djegin trupat ditë e natë”, ka thënë Andrei, banor në Bakuskaja, mbiemri i të cilit nuk është publikuar për çështje sigurie.

“Nuk ka pasur vend për t’i varrosur (në fshat apo zonat fqinje), prandaj (luftëtarëve) të Wagnerit u është ndarë një varrezë e posaçme”.

Një analizë e kryer nga Radio Evropa e Lirë, duke identifikuar emrat dhe datat e lindjes së personave të vdekur, dhe duke i krahasuar me të dhënat e proceseve gjyqësore, ka gjetur se shumica e personave të varrosur kanë qenë të dënuar për krime.

Një hapësirë shtesë për varrosjen e luftëtarëve të grupit Wagner është ndarë edhe në rajonin Krasnodar në Rusi. Varreza nuk është shumë larg prej Molkinit, një fshat ku gjenden hapësira për trajnimin e pjesëtarëve të Wagnerit.

Wagner udhëhiqet nga Yevgeny Prigozhin, oligark rus që njihet si “shefi i kuzhinës së Putinit”, për shkak të kontratave që kanë nënshkruar kompanitë e tij për të përgatitur ushqimet në ceremoni të rëndësishme të Kremlinit, në të cilat ka marrë pjesë presidenti rus, Vladimir Putin.

“Batalion i vdekjes”

Varreza ka qenë temë për spekulime në muajt e fundit, ndonëse ekzistenca e saj është konfirmuar në dhjetor nga Vitaly Votanovsky, aktivist lokal dhe ish-zyrtar i forcës ajrore ruse. Edhe zgjerimi i varrezës është vërejtur nëpër imazhet satelitore.

Pas raportimeve publike për varrezën, Prigozhin e ka vizituar këtë zonë dhe ka postuar fotografi në platformën Telegram duke lënë lule nëpër varreza. Pushtimi rus në Ukrainë ka ndikuar që Prigozhin dhe Wagner të rrisin prezencën në publik. Zyrtarisht jashtë zinxhirit të komandës ushtarake të Rusisë, Wagner ka qenë dikur organizatë në hije me të cilën i kanë mohuar lidhjet, si Kremlini, ashtu edhe Prigozhini.

Ky grup nuk ka qenë shumë i njohur dhe pjesëtarët e saj kanë qenë të angazhuar në shtetet si Siria, Libia dhe Republika e Afrikës Qendrore, ku kanë fituar reputacionin e një force brutale. Prej shkurtit të vitit 2022, ky grup ka luajtur rol të rëndësishëm në suksesin e ushtrisë ruse në marrjen e kontrollit të qyteteve ukrainase siç është Mariupoli.

Wagner është bërë i njohur edhe për sulmet e rrezikshme të këmbësorisë kokë më kokë, për të cilat kanë raportuar forcat ukrainase në qytezat sikurse Soledari dhe Bahmuti.

Për shkak të këtyre taktikave, Igor Girkin, zyrtar i pensionuar rus që është kthyer në kritik të luftës së Rusisë, e ka përshkruar grupin Wagner si “batalion të vdekjes”.

Girkin, i cili dikur është njohur si Igor “Strelkov,” ka luftuar bashkë me forcat ushtarake ruse në Ukrainë më 2014, ku potencialisht është përfshirë në krime lufte dhe mund të jetë i lidhur me rrëzimin e aeroplanit të Malaysian Airlines vite më parë.

Fytyra e re e Wagnerit

Mercenari më i ri që është varrosur në varrezën në Bakuskaja ka qenë vetëm 18-vjeçar, derisa pjesa më e madhe e të tjerëve kanë qenë të moshave nga 35 e deri në 50-vjeçare. Ndonëse moshat e tyre ndryshojnë, shumica kanë të kaluar kriminale dhe i janë bashkuar Wagnerit për t’iu ikur dënimeve me burg për vrasje, vjedhje apo dhunime.

Dokumentet e gjykatave që datojnë nga viti 2020, tregojnë se Sergei Marinko, 46-vjeçar nga Shën Petersburgu – i varrosur në këtë varrezë – ka qenë i dënuar me pesë vjet burgim për therje me thikë të një personi të dehur përgjatë një zënke. Një tjetër viktimë e varrosur së fundi është Filaret Gamuryak, një 47-vjeçar i lindur në Moldavi, i cili është dënuar me 10 vjet burgim për vrasje dhe tentim-vrasje të disa personave.

Në dokumentet e gjykatës është përmendur se ai e ka therur me thikë një grua 10 herë. Aleksandr Korkhalev, i cili sipas të dhënave në gurin e varrit është vrarë në Ukrainë më 14 janar, është dënuar me 12 vjet burgim për vrasjen e nënës së tij. Sipas rastit në gjyq, ai e ka therur nënën, pasi ajo ka refuzuar që t’ia japë paratë e pensionit për të blerë cigare.

Pas therjes, në dokumente është thënë se ai ka dalë për të konsumuar alkool, më pas është kthyer dhe e ka gjetur nënën e tij të larë në gjak, por ende të gjallë, dhe ka refuzuar të thërrasë ambulancën. Teksa shumica e të këtyre personave me të kaluar kriminale janë të varrosur në varrezën e posaçme në Bakuskaja, trupat e të tjerëve ngjallin polemika kur dërgohen nëpër vendet e tyre, pasi janë vrarë në Ukrainë.

Një incident i tillë ka ndodhur së fundi në qytetin Zhireken, në juglindje të Siberisë. Nikita Kasatkin, 23-vjeçar nga Zhireken, i cili i është bashkuar grupit Wagner me shpresën që i ik burgut, është kthyer i vdekur pas luftimeve në Ukrainë. Sipas dokumenteve zyrtare që i ka parë Radio Evropa e Lirë, Kasatkin është dënuar me 10 vjet burgim për vrasjen e një gruaje më 2020, mirëpo besohet se i është bashkuar Wagnerit më 2022, pas qëndrimit në burg për dy vjet.

Për shkak të historisë së rëndë, shumë banorë kanë refuzuar që t’ia kryejnë Kasatkinit një shërbim të dinjitetshëm funerali në një qendër lokale të komunitetit. Megjithatë, pak banorë kanë nisur të lobojnë te kryetarja e Zhirekenit për t’ia organizuar atij një ceremoni, pavarësisht të kaluarës së dhunshme.

Banorët i kanë thënë korrespodentit të Radios Evropa e Lirë se ky rast i ka ndarë banorët e fshatit dhe ka nxitur debate se si të trajtohen mercenarët e Wagnerit që kanë luftuar në emër të Rusisë në Ukrainë, duke marrë parasysh të kaluarën e tyre kriminale.

 “Vrasja ka ndodhur vetëm dy apo tre vjet më parë dhe njerëzit ende e kanë në mendje”, ka thënë Alena Kogodeyeva, kryetare e qytetit Zhireken në Rusi.

“Shumë banorë janë të zemëruar dhe ka prej tyre që thonë ‘A do t’i kthejmë vrasësit në heronj?’”

Episode të ngjashme kanë ndodhur shpesh në Rusi në muajt e fundit.

Në një rast në muajin janar, vetë Prigozhin ka dalë nëpër rrjetet sociale, pasi prindërit e një luftëtari të Wagnerit - të dënuar për vjedhje por të vrarë në Ukrainë – kanë refuzuar të organizojnë ceremoni varrimi kur u është kthyer trupi i të birit.

“Fatkeqësisht, nuk e kam ditur që zyra e kryetares ka vendosur ta tregojë egërsinë në këtë mënyrë”, ka thënë Prigozhin në një deklaratë të publikuar në faqen e llogarisë së tij Concord.

“Ne do të merremi me këtë idiotësi dhe do t’ia tërheqim fëmijët nga vrimat e hundës për të marrë pjesë në (Ukrainë)”./ REL

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Gaza/ foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin

Gaza/ foshnja e porsalindur vdes nga i ftohti natën e Krishtlindjes, ndërsa Izraeli dhe Hamasi debatojnë për armëpushimin