ATHINE - Kryeministri i qeverisë së re greke Aleksis Tsipras, në fjalimin e parë të rëndësishëm si kryeministër, ndërsa shpalosi programin e qeverisjes, tha në parlament se do të mbajë të gjithë premtimet e bëra para zgjedhjeve; se do të rrisë pagën minimale, pagesën e një pensioni bonus dhe se do të ripunësojë punonjësit e shërbimit publik.

Tsipras u shpreh se po mundohet të gjejë një plan për të hequr masat shtrënguese të borxhit dhe se do të refuzojë zgjatjen e borxhit ndërkombëtar. Ai tha se Greqia dëshiron të paguajë borxhin, por nuk mundet, e me qëllim për shlyerjen do të kërkojë kredi ‘kaluese’. Lideri i partisë radikale të majtë Syriza fitoi zgjedhjet me premtimin se do t’i jepte fund masave shtrënguese në vend për pagimin e borxhit ndërkombëtar të Troika-s, megjithëse liderët e Bashkimit Europian refuzuan rinegocjimin e kushteve për pagesën e borxhit. 

“Borxhi i shpëtimit dështoi. Qeveria e re nuk e justifikon më zgjatjen e tij...sepse nuk mund të kërkojë zgjatjen e gabimeve. Pas 5 viteve masa shpëtimi barbare, populli ynë nuk mund të durojë më tepër.”

Kryeministri Grek i kërkoi gjithashtu Gjermanisë, kreditorit më të madh të saj, pagimin e dëmshpërblimit të Luftës së II-të Botërore dhe ripagimin e kredisë që forcat naziste detyruan grekët të paguanin gjatë pushtimit të vendit. Tsipras tha se “ky është një detyrim i popullit grek, i historisë, i popullit Europian që luftoi kundër Nazismit”. 

Prioriteti kryesor sipas Tsipras është trajtimi i plagëve të “borxhit dhe masave shtrënguese, sidomos trajtimi i “krizës humanitare”. Grekët kanë mbajtur protesta gjatë javës së shkuar në Athinë për të mbeshtetur qëndrimin e qeverisë së re. Masat për krizën humanitar parashikojnë ushqim, strehim dhe elektricitet falas për personat e dëmtuar më shumë nga kriza ekonomike, rritja e pagës minimale në 751 euro, reduktimi i buxhetit për makinat ministrore, luftimin e korrupsionit dhe evazionit fiskal, si dhe dhënia fund e taksës vjetore për pronën private.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)