Parlamenti grek miratoi planin e masave shtrënguese, pas një debateve të tensionuara. Me 154 vota pro të deputetëve të koalicionit qeveritar nga 290 deputetë të parlamentit grek, u miratua një ligj që parashikon masa të ashpra financiare dhe kursimi. Para votimit jashtë parlamentit mijëra persona, kryesisht përkrahës të Partisë Komuniste, protestuan kundër masave të ashpra që po ndërmerr qeveria.

Masat e forta shtrënguese të miratuara nga parlamenti grek, ishin pjesë e kushteve të mbërritjes në fund të tetorit të kreditorëve të qeverisë greke. Ata pritet të kryejnë një vlerësim mbi reformat e ndërmarra nga qeveria greke për të miratuar këstin e parë të paketës së tretë të ndihmës prej 86 miliardë eurosh për qeverinë greke. 

Tri nga partitë opozitare, kanë hedhur poshtë projektligjin, duke votuar pro vetëm, për disa nene të caktuara të tij. Nga ana tjetër, opozita e përbërë nga Demokracia e Re, PASOK dhe LUMI, disa javë më parë, kishin mbështetur marrëveshjen e shpëtimit me kreditorët. 

Projektligji përfshin vetëm grupin e parë të reformave që duhet të marrë Greqia, midis tyre rritja e moshës për pension deri në 67-vjeç, reduktimi me 10 % i pensioneve mbi 1 mijë euro apo i atyre që e kanë përfituar pasi kanë dalë para kohe. Projektligji parashikon edhe dënime të rënda për evazionin fiskal, ndërsa parashikon edhe liberalizimi të tregut të energjisë. 

Reforma e re e pensioneve e ndërmarrë nga qeveria greke, vjen pas disa përpjekjeve të dështuara të qeverive të mëparshme të vendit prej vitit 2010 për të rimëkëmbur sistemin e sigurimeve sociale që është në prag të shkatërrimit të plotë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)