Një javë më parë shkallët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë ngjitur deputetët Genc Pollo, Flamur Noka,Asllan Dogjani, Arben Ristani ndërkohë dy ditë më parë në prokurori ka shkuar dhe Albana Vokshi, e cila mësohet të ketë dëshmuar lidhur me tubimin e dhunshëm që opozita së bashku me aktivistë të shoqërisë civile bënë në 28 mars 2016 në kodrat e liqenit artificial.
Lidhur me këtë ngjarje një ditë më pas në 29 mars 2016 Policia e Shtetit ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme kundër 9 deputetëve të PD, për akuzën e “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”,“Shkatërrimi i pronës”,“Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”,“Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Dëshmitë e deputetëve
Një burim pranë Prokurorisë së Përgjithshme i tha gazetës “Shqiptarja.com” se pyetja e deputetëve është bërë në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen. Në deklarimet e tyre, deputetët kanë pohuar se kanë respektuar të drejtën për të protestuar dhe se nuk kanë nxitur turmën e civilëve për të sulmuar policinë.
Sipas deklarimeve të tyre, ka qënë policia ajo që ka provokuar aktivistën e shoqërisë civile, me qëllim ushtrimin e presionit për ti larguar nga e drejta për të protestuar. Një dëshmi të tillë e kanë dhënë thuaje në sinkron të gjithë deputetët e PD, ndërkohë që ditët në vijim pritet të pyeten deputetët Gent Strazimiri, Gerti Bogdani dhe Ridvan Bode.
Gjatë marjes në pyetje deputetët e opozitës janë pyetur në prokurori nëse Strazimiri ka pasur ose jo armë me vehte ditën e protestës, por asnjëri prej tyre nuk ka deklaruar se kolegu i tyre ka qënë me armë.
Të premtën Strazimiri
Deputeti i PD Gent Strazimiri është ftuar për të dëshmuar në prokurori, por në fakt nuk ka shkuar herën e parë, duke u justifikuar se ishte i angazhuar me punë në komisionet parlamentare. Pavarësisht kësaj Prokuroria e Përgjithshme ka përsëritur fletë-thirjen duke kërkuar që Strazimiri të paraqitet për të dëshmuar në prokurori ditën e premte.Në kallëzimin e saj dorëzuar në prokurori policia sqarin se: “Referuar pamjeve filmike rezulton se deputeti Gent Strazimiri gjatë kohës që ishte në protestë krahas veprimeve të dhunshme ndaj policisë, i dallohej në brez një armë zjarri (pistoletë).
Zoti Strazimiri ka qenë i pajisur me armë zjarri në 26.03.2009, kur ka qenë zv/ministër i Brendshëm.Por në zbatim të Ligjit nr. 74/2014 “Për armët”, duke filluar nga 26.02.2016, lejet dhe aktet e tjera administrative që japin të drejtën mbi armët, humbasin fuqinë juridike”. Ndërkohë që fletë-thirje i është dërguar dhe dy deputetëve të tjerë të PD Ridvan Bode dhe Gerti Bogdanit.
Të kallëzuar
Flamur Noka
Genti Strazimiri
Genc Pollo
Albana Vokshi
Arben Ristani
Asllan Dogjani
Gert Bogdani
Edi Paloka
Ridvan Bode
Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)