Tufa:Kritike gjendja e një grevisti
Mbështetje nga Vlora e Kosova

Tufa:Kritike gjendja e një grevisti <br />Mbështetje nga Vlora e Kosova
TIRANE - Pas 21 ditësh grevë urie, sot në ditën e 22-të, 11 ish të burgosur politikë vetëshpallën grevën e vdekjes, duke refuzuar të marrin dhe ujin e pijshëm. Një grevë që ish të burgosurit politikë thonë se po zhvillohet nën një presion të madh psikologjik dhe në kushtet më të plota të izolimit,  si në burg. Policia mban të rrethuar me kordon gjithë rrugicën që të çon drejt çadrës së grevistëve, gjithçka kontrollohet në mënyrë të imtësishme. Forca të shumta të policisë ndodhen pranë kordonit dhe nuk lejojnë as gazetarët t'i afrohen çadrës, ndërkohë që çdo paketë cigare e familjarëve kontrollohet në mënyrë të imtësishme nga policia.  Kryetari i grevës së ish- të përndjekurve politik, Skënder Tufa deklaroi sot në mëngjes për TV A1 Report se grevistët sot zyrtarisht kanë vetëshpallur “Grevën e vdekjes". Ai thotë se gjendja e grevistëve është tejet e rënduar.

ZGJIDHEN PROBLEMET, KTHEHET KOORDINATORI

Ora 19:18 Duket se problemet që u shfaq pasditen e sotme mes grevistëve janë zgjidhur. Në një moment të dytë, Skënder Tufa dhe Asllan Patrioti kanë dalë përpara kamerave për të sqaruar se gjithçka është zgjidhur dhe se vendimi i këtij të dytit për të braktisur koordinimin e grevës ka ardhur si pasojë e një keqkuptimi. “Ne kemi vendosur të rrimë pranë grevistëve - tha Patrioti - Zërat e tyre do të transmetohen nga ne”.

IKEN NJE NGA KOORDINATORET E GREVES
Ora 17:50 Asllan Patrioti, një nga koordinatorët e grevës së urisë, ka njoftuar se tërhiqet nga ky pozicion që ka mbajtur deri tani. Ai nuk dha shpjegime të mëtejshme por theksoi se “greva jonë nuk është politike por ekonomike”.
Ndërkohë, një nga grevistët, Arif Beu, ka njoftuar se do ta lërë përkohësisht grevën e urisë pasi ka vajzën sëmurë në gjendje të rëndë në spital dhe dëshiron të qëndrojë pranë saj. Beu u tha gazetarëve se gjithsesi do t’i rikthehet grevës pasi të takojë të bijën në spital.

TUFA: GREVISTI LLOSHI RREZIKON JETEN

Ora 16:05 Skënder Tufa deklaroi pasditen e sotme se ndërsa gjendja shëndetësore e të gjithë grevistëve është e rëndë, ajo e Fatmir Lloshit është kritike për jetën. Tufa përsëriti apelin drejtuar ndërkombëtarëve që të ndërhyjnë pranë autoriteteve shqiptare për të gjetur një zgjidhje. “Askush të mos heshtë pasi po vdesin njerëz”, tha ai.

PROTESTUES EDHE NGA KOSOVA
Ora 16:00 Pas protestuesve nga Vlora dhe atyre që priten të vijnë nga Korça, grevistët sot janë vizituar edhe nga një grup protestuesish nga Kosova, të Lëvizjes Vetëvendosje, që kanë protestuar në mbështetje të tyre përpara kordonit policor që rrethon vendin ku po zhvillohet greva e urisë së ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë. Protesta e tyra ka zgjatur për rreth një orë ndërsa ata kanë kërkuar që të vizitojnë në grup grevistët. Policia nuk e ka lejuar një gjë të tillë dhe pas një momenti tratativash është lejuar të vizitojnë çadrën e grevistëve vetëm një grup prej 3 përfaqësuesish.

TRE GREVISTE REFUZOJNE MJEKIMIN
Ora 15:20 Në ditën e 22-të të grevës së urisë gjendja shëndetësore e ish-të përndjekurve vazhdon të jetë e rëndë. Që nga dita e djeshme grevistët nuk më as ujë. Më e vështirë duket situata shëndetësore e Besim Valterit, Fatmir Lloshit dhe Vllasi Koçit, të cilët kanë refuzuar mjekimin.

DREJT TIRANES DHE 50 PROTESTUES NGA KORÇA

Ora 13:19 Gazetari ynë Kreshnik Zeqaj i vendosur pranë çadrës së grevistëve thotë se rreth 50 protestues nga Korça pritet të vijnë në Tiranë në mbështetje të grevistëve.

DYFISHOHET KORDONI I POLICISE
Ora 13:14
Një numër i madh forcash policie janë vendosur para shiritit blu i cili është vendosur disa metra larg çadrës dhe nuk lejon askënd të hyjë brenda. Përballë tyre janë vendosur disa protestues që kanë ardhur nga Vlora në mbështetje të grevistëve. Policia i kërkon protestuesit të shpërndahen në të kundërt i kërcënon se do të procedohen penalisht për “protesta të paligjshme”. “Ata që po digjen u dogjën se nuk u zbatua ligji. Ne po i tregojmë shtetit se nuk po zbaton ligjin, tani shteti na thotë ne po shkelim ligjin se po protestojmë?!”- thotë një protestues për TV A1 Report.

MBESHTESTES NGA VLORA ULEN KEMBEKRYQ PARA  POLICISE

Ora 12:40
Mbështetës të grevës ardhur nga Vlora protestojnë para çadrës. Të ulur këmbëkryq ata janë vendosur para policisë e cila është vendosur kordon, disa metra larg çadrave.“Nuk mund të qëndrojmë indiferentë kur disa njerëz i vënë flakën vetes. Ata kërkojnë të drejtat e tyre dhe ne i mbështesim” thotë një protestues i ardhur nga Vlora.

greva e te burgosurve politike
(ne foto protestuesit nga Vlora para çadres)

GREVISTI BESIM VALTERI: NA KANE PRERWE KOMUNIKIMIN  ME MEDIAN

Ora 10:10
Besim Valteri grevist dhe një nga 3 ish të burgosurit politikë që ishin dje në takimin me Nishanin rrëfeu sot për Tv A1 Report se gjëndja është shumë e rëndë dhe greva po zhvillohet nën një presion shumë të lartë psikologjik. “Gjëndja është shumë e rëndë, Lavdosh Beqa është pa ilaçe, të gjithë janë të këputur. Presioni psikologjik sa vjen e rritet. Dy miq tanë na sollën ca paketa, dhe kontrollohen si të ishin në burg, kanë prerë komunikimin me median. Shyqyr që kemi telefona e na merrni ju. Qeveria na ka shpallur të burgosur politikë ndërkohë që ne jemi vetëm për kërkesa ekonomike. Ne jemi të vendosur në kërkesat tona, gjithçka është e menduar mirë, presim një dritë jeshile me presidentin. U gëzuam kur u dëgjuam nga një institucion shtetëror por sa erdhëm këtu u përballëm me presionin e policisë. jemi të vendosur deri në vdekje për kërkesat tona ekonomike”

FATMIR LAMAJ: NE ME VDEKJE NA KA DENUAR QEVERIA
Ora 10:00
Nga çadra e grevistëve, Fatmir Lamaj, në një lidhje telefonike për Tv A1 Report i pyetur nëse e kishin menduar mirë këtë kur morën këtë vendim ekstrem për të shpallur grevën e vdekjes tha: “:Ne me vdekje na ka dënuar qeveria. Ky vendim ekstrem, është imponimi i rrethanave ku po zhvillohet greva jonë. Policia është e udhëzuar nga eprorë të saj.

TUFA: SOT ZYRTARISHIT GREVA E VDEKJES, S'KEMI HUMBUR SHPRESAT TE NDERKOMBETARET
Ora 09:10 Pas ndërhyrjes së policisë për largimin e ujit dhe ilaceve, Tufa deklaron se gjendja e grevistëve, sidomos e 81-vjeçarit Lavadosh Beco, Ramaza Spahiu e të dënuarve të tjerë është në gjendje kritike për jetën, pasi pjesa më e madhe e tyre vijnë nga sëmundje të rënda dhe e kanë të pamundur jetesën pa këto asortimemtë.
“Gjëndja shëndetësore e grevistëve është alarmante dhe për tu bërë apel çdo qytetari sepse këta martirë janë në rrezik për jetën. Atyre u është hequr uji, mundësia e fundit, dhe po shkojnë drejt vdekjes. Nuk njoh unë as Edi Ramë, as Sali Berishë, as Top as Kuq e Zi, njoh vetëm të burgosur politikë. Dua zgjidhje për probleme që kanë dalë nga parlamenti. Nuk di çfarë apeli tjetër ti bëj këtij shteti kryetari i të cilit ka gur në zemër, se s’ka mundësi tjetër”- tha Tufa

" Krimi më i madh është bërë me një ish të dënuarin Lavadosh Becco, 81 vjecc. Ky është një gjest antihuman ndaj tij, ky është krim që atyre u ndalohen ilaccet. E rënduar është edhe gjendja e Ramaza Spahiut, e grevistëve të tjerë po ashtu. Ata po shkojnë drejt vetflijimit, drejt vdekjes së sigurt dhe kjo tregon se kryetari i shtetit ka gur, jo zemër", shprehet Tufa.
Ai shton  se nga Avokati i Popullit kishte marrë garancinë se do të ndërhyne për të zgjidhur këtë problem ndërsa shpresat më të mëdha i kanë tek ndërkombëtarët.
“Nuk i kemi humbur shpresat nga ndërkombëtarët. Kemi marrë përkrahjen e tyre. Ata po na mbështesin moralisht në kuadër të të drejtave të njeriut".

21 DITE GREVE URIE
Greva e urisë së ish të burgosurve politkë hyn sot në ditën e 22-të. Pas ndërhyrjes së policisë në çadra pasditen e djeshme për t’i larguar lëngjet dhe sheqerin, grevistët refuzojnë të marrin dhe ujin duke shpallur “Grevën e vdekjes”. Kryetari i grevës së ish- të përndjekurve politik, Skënder Tufa deklaroi sot për TVA1Report se grevistët sot zyrtarisht kanë vetëshpallur “Grevën e vdekjes". Ai thotë se gjendja e grevistëve është tejet e rënduar. Në një bisedë telefonike me gazetaren e televizionit A1 Report, mbrëmjen e djeshme dy grevistë u shprehën të vendosur për të përfunduar misionin e tyre edhe pse policia gjatë orëve të pasdites së djeshme i largoi nga çadra lëngjet dhe ata refuzojnë . Ata thonë se shpresa e vetme e tyre është ndaj ambasadës Amerikanë dhe mbështetjes që kjo e fundit mund të ofrojë ndaj shtresës së tyre në përmbushjen e kërkesave për kompensimin për ditët e burgut të vuajtur në komunizëm. Deri në mesditën e e djeshme nga çadra e grevës së urisë e vendosur te "Komuna e Parisit" u dukën sikur dolën sinjale pozitive pas takimit që një përfaqësi e grevistëve u takua me presidentin Nishani. Takimi u zhvillua me ndërmjetësimin e ambasadës SHBA e BE, por gjithçka mori drejtim tjetër disa orë më vonë, menjëherë pas publikimit të deklaratës për shtyp nga presidenca. Ish të burgosurit politik thanë se presidenti po tallej me ta dhe situata u përkeqësua me ndërhyrjen e forcave të policisë në çadrat e grevistëve duke u konfrontuar me ta dhe duke i larguar çajin e sheqerin.  Ata kërkuan ndihmën e Avokatit të Popullit që me prezencën e tij apo të përfaqësuesve pranë çadrave, t’i japë zgjidhje kësaj situate e cila dita-ditës po përkeqësohet. Në një prononcim telefonik për Televizionin A1 Report, Avokati i Popullit, Igli Totozani reagoi menjëherë pas thirrjes së grevistëve, duke thënë se ka dërguar drejt tyre disa ekspertë.
Lirak Bejko dhe Gjergj Ndreca dy ish të burgosurit politikë që tentuan të vetëflijohen duke i vënë flakën vetes janë dërguar në Itali e Greqi për të marrë mjekim më të specializuar. Dërgimi i tyre u bë me ndërmjetësimin e Partisë Socialiste.

GREVISTET: SHPRESE TE SHBA, BERISHA TE KENAQET ME KUFOMAT TONA

Ora 21: 15 (12 tetor) Në një bisedë telefonike me gazetaren e televizionit A1 Report, dy ish të burgosur politik, pjesë e grevës që vijon tashmë prej 3 javësh, shprehen të vendosur për të përfunduar misionin e tyre edhe pse policia gjatë orëve të pasdites së sotme i largoi nga çadra lëngjet. Ata thonë se shpresa e vetme e tyre është ndaj ambasadës Amerikanë dhe mbështetjes që kjo e fundit mund të ofrojë ndaj shtresës së tyre në përmbushjen e kërkesave. “Të gjithë jemi të lodhur dhe asnjë nuk do të pijë ujë, kemi shpallur gjendjen e grevës së vdekjes. Gjendja e Ramazan Spahiut është shumë e rëndë, është i këputur, nuk lëviz, nuk pranon të shkojë në spital. Shpresa jonë e fundit është tek Ambasada Amerikane, se do të marrim mbështetje prej tyre.”, u shpreh për A1 Report grevisti Besim Valteri. Ai shprehet mosbesues me atë që qeveria mund të bëjë ndaj tyre, pasi sipas tij nuk ka marrë asnjë këst nga dëmshpërblimi për vitet e burgut në kohën e regjimit komunist.
“Me këto që po ndodhin tani nuk kemi besim. Unë nuk kam marrë asnjë këst, jam 51 vjeç. Dosjet tona kanë kaluar që në janar në komisionin e ligjeve dhe nuk kanë kaluar ne seancë plenare. Kërkesa jonë është që të zbatohen ligjet që kanë miratuar vetë në Parlament.”, tha Valteri. Ndërkaq, një tjetër grevist, Fatmir Lamaj, shprehet nga brenda çadrave se kjo grevë është tërësisht ekonomike dhe se futja në grevë ka qenë nën vullnetin e tyre të plotë, pa asnjë ndikim nga ndonjë forcë politike. Ish i përndjekuri politik, Fatmir Lamaj u shpreh për A1 Report se ka bërë 8 vjet burg dhe se nuk e ka marrë dëmshpërblimin e tij.
“Ne në këtë grevë kemi hyrë me vullnetin tonë të plotë, pa marrë asnjë. Vlerësim minimal, dhimbjet tona nuk kanë të shlyer. Berisha në 2005 ka thënë që atyre i takojnë shumë më shumë. Tani cakton 00.1 % në buxhetin e tij. Ne do të vazhdojmë këtu, të vdesim. Berisha le të kënaqet me kufomat tona se ne do vdesim këtu.”, tha ish i burgosuri politik, Fatmir Lamaj.

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet

Lezhë, shtëpia muze e ‘Mlikjave’ rrezikon që të shembet