Tufa:Policia na dhunoi, shpallet
greva e vdekjes, heqin ujin

Tufa:Policia na dhunoi, shpallet <br />greva e vdekjes, heqin ujin
TIRANE-  Sot mbushen tre javë nga dita kur disa ish të burgosur politikë vendosën të hyjnë në grevë urie për të kërkuar kompensimin për ditët e burgut të vuajtur në komunizëm. Deri në mesditë nga çadra e grevës së urisë e vendosur te "Komuna e Parisit" u dukën sikur dolën sinjale pozitive pas takimit që një përfaqësi e grevistëve u takua me presidentin Nishani. Takimi u zhvillua me ndërmjetësimin e ambasadës SHBA e BE, por gjithçka mori drejtim tjetër disa orë më vonë, menjëherë pas publikimit të deklaratës për shtyp nga presidenca. Ish të burgosurit politik thanë se presidenti po tallej me ta dhe situata u përkeqësua me ndërhyrjen e forcave të policisë në çadrat e grevistëve duke u konfrontuar me ta dhe duke i larguar çajin e sheqerin.

 Ish të burgosurit politik në prononcime të vazhdueshme për televizionin A1 Report e cilësuan tashmë takimin me Nishanin, një lojë me ish të përndjekurit. Në kundërpërgjigje të veprimit të policisë, grevistët flakën në rrugë të gjithë bidonët me ujë duke shpallur kështu “Grevën e vdekjes”. Ata  kërkojnë ndihmën e Avokatit të Popullit që me prezencën e tij apo të përfaqësuesve pranë çadrave, t’i japë zgjidhje kësaj situate e cila dita-ditës po përkeqësohet. Në një prononcim telefonik për Televizionin A1 Report, Avokati i Popullit, Igli Totozani reagoi menjëherë pas thirrjes së grevistëve, duke thënë se ka dërguar drejt tyre disa ekspertë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Bashkimit Evropian, arriti të ndërmjetësoi sot takimin mes ish të burgosurve politik dhe presidentin të republikës, Bujar Nishani. Grevistët pas këtij takimi u shprehën se ky mund të jetë një sinjal pozitiv për zgjidhjen e çështjes së tyre. Nga ana e saj Presidenca nëpërmjet një njoftimi për shtyp informon se do ta ndiqte në vijimësi procesin e zbatimit të ligjit për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë dhe i bën apel për tës mo vetëflijuar dhe të shmangin përdorimin politik.  

Tashmë në çadrën e vendosur në ambientet e jashtme të “Komunës së Parisit” janë 11 grevistë të cilët shprehen të vendosur t'i shkojnë deri në fund grevës së urisë.  Mbrëmjen e djeshme u shënua tentativa e tretë e vetëflijimit duke u lagur me benzinë për t' i vënë flakën vetes. Gani Aliaj, një ish i burgosur politik, por që nuk ishte pjesë e grevës së urisë  tentoi rreth orën 19:30, të së enjtes të vetëflijohej pak metra para çadrës ku po zhvillohej greva e urisë. Ai u lye me benzinë, por u pikas nga uniformat blu që ruanin zonën dhe u ndaluarnë momentin e fundit.

ORE PAS ORE GJITHCKA CFARE PO NDODH ME GREVEN E URISE

GREVISTET: SHPRESE TE SHBA, BERISHA TE KENAQET ME KUFOMAT TONA
Ora 21: 15 Në një bisedë telefonike me gazetaren e televizionit A1 Report, dy ish të burgosur politik, pjesë e grevës që vijon tashmë prej 3 javësh, shprehen të vendosur për të përfunduar misionin e tyre edhe pse policia gjatë orëve të pasdites së sotme i largoi nga çadra lëngjet. Ata thonë se shpresa e vetme e tyre është ndaj ambasadës Amerikanë dhe mbështetjes që kjo e fundit mund të ofrojë ndaj shtresës së tyre në përmbushjen e kërkesave. “Të gjithë jemi të lodhur dhe asnjë nuk do të pijë ujë, kemi shpallur gjendjen e grevës së vdekjes. Gjendja e Ramazan Spahiut është shumë e rëndë, është i këputur, nuk lëviz, nuk pranon të shkojë në spital. Shpresa jonë e fundit është tek Ambasada Amerikane, se do të marrim mbështetje prej tyre.”, u shpreh për A1 Report grevisti Besim Valteri. Ai shprehet mosbesues me atë që qeveria mund të bëjë ndaj tyre, pasi sipas tij nuk ka marrë asnjë këst nga dëmshpërblimi për vitet e burgut në kohën e regjimit komunist.
 “Me këto që po ndodhin tani nuk kemi besim. Unë nuk kam marrë asnjë këst, jam 51 vjeç. Dosjet tona kanë kaluar që në janar në komisionin e ligjeve dhe nuk kanë kaluar ne seancë plenare. Kërkesa jonë është që të zbatohen ligjet që kanë miratuar vetë në Parlament.”, tha Valteri. Ndërkaq, një tjetër grevist, Fatmir Lamaj, shprehet nga brenda çadrave se kjo grevë është tërësisht ekonomike dhe se futja në grevë ka qenë nën vullnetin e tyre të plotë, pa asnjë ndikim nga ndonjë forcë politike. Ish i përndjekuri politik, Fatmir Lamaj u shpreh për A1 Report se ka bërë 8 vjet burg dhe se nuk e ka marrë dëmshpërblimin e tij.
 “Ne në këtë grevë kemi hyrë me vullnetin tonë të plotë, pa marrë asnjë. Vlerësim minimal, dhimbjet tona nuk kanë të shlyer. Berisha në 2005 ka thënë që atyre i takojnë shumë më shumë. Tani cakton 00.1 % në buxhetin e tij. Ne do të vazhdojmë këtu, të vdesim. Berisha le të kënaqet me kufomat tona se ne do vdesim këtu.”, tha ish i burgosuri politik, Fatmir Lamaj.

LIRAK BEJKO MERR MJEKIM TE SPECIALIZUAR NE ITALI
Ora 20: 15
Lirak Bejko mbërriti mbrëmjen e sotmenë Bari, ku do të marrë mjekim më të specializuar pasi ka pësuar djegie në masën 50 % të trupit. Bejko i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në poliklinikën e Barit nga ekipi i mjekëve drejtuar nga Giulio Maggio. Pas ndërhyrjes kirurgjikale mjekët italianë nuk përjashtojnë ende komplikacionet. Transportimi i Lirak Bejkos drejt Italisë si dhe kurimi i tij në spitalin e Barit, u bë i mundur falë ndërmjetësimit të Ambasadës Italiane, kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kreu i krahinës së Puljas Niki Vendola. Ndërkaq, Gjergj Ndreca ka mbërritur në Greqi, ku do të kurohet në spitalin e Janinës, pasi ka marrë plagë nga djegia në masën 40 % të trupit.
Ndërsa kalonte kufirin drejt shtetit Helen, Gjergj Ndreca sërish ka lëshuar një tjetër apel për grevistët dhe ish-të përndjekurit politik në mbështetje të tyre, që t’i shkojnë deri në fund misionit të tyre. Lirak Bejko, 47 vjeçari nga Skrapari u transportua mesditën e së premtes nga reparti i djegieve drejt Italisë, ndërsa transportimi ë Gjergj Ndrecës u bë rreth orës 06:30 të mëngjesit.

ISH TE PERNDJEKURIT: POLICIA MUND TE NDERHYJE NATEN, KEMI PREGATITUR TERREN TJETER

Ora 20:00 -
Kreu i shoqatës së ish të burgosurve Durrës u shpreh gjatë orëve të mbrëmjes së sotme se situata aktuale e grevistëve është e qetë, pavarësisht gjendjes jo të qëndrueshme të grevistit Ramazan Spahia, i cili nuk pranon të transportohet në spital. Ai informoi se pranë çadrave të grevistë ndodhen 3 ambulanca. Megjithatë ai nuk shmangu frikën nga forcat e policisë ku theksoi se gjatë natës, duke marrë parasysh edhe shiun që ka filluar në Tiranë, mund të ndërhyjnë në një aksion për largimin e grevistëve nga çadrat, duke i dhënë kështu fund grevës që sot mbyll ditën e 21 të saj. “Kemi frikë se policia mund të bëjë një aksion të fshehur në këtë shi. Mund të ndërhyjnë forcat speciale për ti larguar. Policia mund të ndërhyjë me forcë për mbylljen e grevës. Nëse do të ndërhyjnë ne kemi përgatitur një bazë tjetër, një ambient më të mirë, por greva do të vazhdojë.” , u shpreh për A1 Report kreu i shoqatës së ish të përndjekurve politik Durrës.

NJE GREVIST NE GJENDJE TE RENDE SHENDETESORE, REFUZON TE SHKOJE NE SPITAL
Ora 19: 20 Ramazan Spahia një prej ish të burgosurve politik, pjesë e grevës, është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai ka refuzuar të transportohet me ambulancë për në spital. Spahia u shpreh i vendosur edhe në ditën e 21 të grevës së urisë, për të vazhduar deri në fund deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

MBERRIN NE ITALI LIRAK BEJKO, I NENSHTROHET NDERHYRJEVE TE SPECIALIZUARA
Ora 18:30 Ish i burgosuri politik, Lirak Bejko i cili u nis orët e mesditës së sotme për të marrë kurim më të specializuar në Itali, mësohet se ka mbërritur në Bari. Lirak Bejko ishte pjesë e grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë i cili dy ditë më parë u vetëdogj me benzinë pranë ambienteve ku janë stacionuar çadrat e grevës në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë. Bejko do të kurohet në një klinikë në Pulia duke iu nënshtruar një ndërhyrjeje të specializuar. Gjendja e tij shëndetësore mbetet e rënduar pasi ka pësuar djegie në 50 % të trupit. Transportimi i tij drejt Italisë, por gjithashtu edhe i grevistit Gjergj Ndreca në Greqi, gjithashtu i vetëdjegur, u ndërmjetësua me ndihmën e Edi Ramës, ambasadës italiane dhe kreut të krahinës së Pulias, Niki Vendola.

TUFA TAKIM ME AMBASADEN SHBA: MOREM MBESHTETJE
Ora 17:45 Duke iu referuar situatës së rëndë të krijuar me grevistët pasi ata në kundërpërgjigje të policisë që i largoi lëngjet që ata konsumonin si edhe sheqerin, ku ish të burgosurit politikë hoqën edhe ujin duke shpallur kështu grevën e urisë, kreu i shoqatës Skënder Tufa zhvilloi një takim me përfaqësues të ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas këtij takimi Tufa deklaroi se ka marrë mbështetje të madhe nga Ambasada sa i përket kërkesave të tyre. Ai deklaroi gjithashtu se policia ka ushtruar dhunë ndaj tyre duke i hequr mjetet e nevojshme për realizimin e grevës. Tufa ironizoi takimin e realizuar me presidentin Nishani, pasi ai nuk i dha mbështetjen e duhur. “Nishani është i varur dhe se dikush tjetër e udhëheq atë”, u shpreh Skënder Tufa.

POLICIA NUK LEJON BIBERAJ TE CADRAT: "KAMBANE ALARMI"
Ora 17:40 Ish deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherësh pjesë e kryesisë së Frymës së Re Demokratike (FRD-së), Aleksandër Biberaj, nuk është lejuar nga forcat e policisë që të kalojë kordonin e vendosur nga policia për t'u futur në çadrat e grevistëve ish të burgosur politik. Ai u shpreh për mediat se “kjo është një kambanë alarmi”. Biberaj e ka cilësuar “shtet policor” përleshjen me policinë. Biberaj i bëri thirrje kryeministrit të vendit Sali Berisha, por edhe politikës e qytetarëve shqiptarë që të solidarizohem me kërkesat e ish të përndjekurve politikë, sipas tij “kërkesa të mirëfillta ekonomike". "Këta qytetarë nuk meritojnë të vdesin për të drejtat e tyre legjitime”, u shpreh Biberaj.

greva bidon
(Grevistët duke hedhur bidonët e ujit në rrugë)

AVOKATI I POPULLIT PER A1 REPORT: KAM DERGUAR EKSPERTE TE GREVISTET
Ora 16:42 Në një bisedë telefonike me gazetaren e televizionit A1 Report, Mira Kazhani, Avokati i Popullit Igli Totazani duke reaguar menjëherë pas thirrjes së grevistëve për të marrë ndihmën e tij, tha se ka dërguar disa ekspertë për të parë situatën e grevistëve në çadrat pranë "Komunës së Parisit". Avokati i Popullit, pa dashur të dalë jashtë kompetencave të tij, nuk komentoi veprimin nga forcat e policisë të nxjerrjes së çajit e sheqerit nga çadrat e grevistëve, ndërsa e vlerësoi takimin e ish të burgosurve paraditen e sotme me presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

ISH TE BURGOSURIT: NISHANI U TALL ME NE, TE VIJ AVOKATI I POPULLIT
Ora 16:23 Ish të burgosurit politik shprehen dyshues në lidhje me qëllimin e presidentit Nishani gjatë takimit të sotëm me ta. “Do t’i themi Bujar Nishanit nëse ka bërë lojë sot me ish të burgosurit politik, ka bërë një gabim të madh që si falet nëse ka urdhëruar që të mos kemi kontakt me grevistët.” Televizioni A1 Report në një lidhje direkte me koordinatorët e grevës, filmoi pamje të momentit kur vetë grevistët në kundërpërgjigje të veprimit të policisë, hodhën bidonët e ujit në rrugë, duke thirrur se “shpallim grevën e vdekjes”.

“Policia po na trajton sikur ne të ndodhemi në birucë dhe jo në ambientet e një greve që e kemi improvizuar vet. Policia po ndërhyn në rregullat e grevës. Kërkojmë prezencën e Avokatit të Popullit. Të vij një përfaqësues ose vet ai të shikojë situatën se ku ndodhemi si jemi dhe se çfarë po bën policia. I ka hequr të gjitha gjërat, ka lejuar vetëm ujin. Nëse policia vazhdon me këtë sjellje ne do shpallim grevën e vdekjes do heqim edhe ujin e do vdesim këtu, shteti po mban një qëndrim mjaft armiqësor. Kanë hequr çajin me motivin se greva bëhet me ujë. Ata se kishin parashikuar që ne do rezistonim kaq gjatë, dhe na heqin këto për të shuar rezistencën tonë”, shprehet një nga grevistët.

POLICIA I HEQ CAJIN E SHEQERIN, GREVISTET HEQIN EDHE UJIN: SHPALLIM GREVEN E VDEKJES
Ora 16: 16
Në një prononcim për mediat, kreu i shoqatës së ish të përndjekurve politik, Skënder Tufa tha se policia nuk i ka lejuar koordinatorët që të kenë kontakte me grevistët. Policia sipas tyre ka ndërhyrë edhe me dhunë në çadrat e grevistëve duke i shtyrë ata dhe duke u hequr çajin e sheqerin nga çadrat., duke i lënë vetëm ujin. Ky veprim ka irrituar së tepërmi grevistët të cilët kanë larguar edhe ujin duke thënë: Do shpallim grevën e vdekjes.

greva bidon

NISHANI  MOS U VETEFLIJONI, KOMPENSIMI SIPAS LIGJIT
Ora 14: 45 Pas takimit me përfaqësinë e grevistëve, presidenca bëri publike një deklaratë për shtyp. Presidenti u kërkon grevistëve të shmangnin përdorimin politik dhe të ndalojnë vetëflijimin. Ai u bëri thirrje përfaqësisë së grevistëve që të kontribuojnë ë shmangien e akteve ekstreme që dëmtojnë shëndetin fizik dhe psikologjik të grevistëve dhe familjarëve të tyre.

“Në vlerësimin e Kryetarit të Shtetit, rrezikimi i jetës jo vetëm i dy pjesëtarëve të grevës, por edhe gjithë grupit të grevistëve dhe dhimbjes që shkakton, duhet të shmanget në respekt të vlerës që jeta ka.” - thuhet në njoftimin për shtyp, ku nënvizohet se prresidenti u bëri thirrje përfaqësisë së grevistëve që të kontribuojnë në shmangien e akteve ekstreme që dëmtojnë shëndetin fizik dhe psikologjik të grevistëve dhe familjarëve të tyre.

Lidhur me kompensimin e ish të burgosurve politkë Nishani tha se do të kërkonte informacion në Ministrinë e Financave por se ky kompensim do të kalohej përmes zbatimit të legjislacionit.
“Presidenti i Republikës shprehu bindjen se çdo zgjidhje duhet të kalojë përmes zbatimit të legjislacionit për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë si një mundësi rehabilitimi social për këtë shtresë dhe jo thjesht si dëmshpërblim monetar. Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit do të ndërmarrë nismën për ndjekjen në vijimësi të procesit të zbatimit të ligjit për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë dhe për këtë do të kërkojë informacion të vazhdueshëm nga Ministria e Financave dhe e Drejtësisë për zbatimin e këtij ligji.”- thuhet në njoftimin për shtyp të presidencës e cila mbyllet me fjalinë se ”Presidenti Nishani shfaqi mendimin se duhet shmangur përdorimi politik i grevës.”

GREVISTET: TAKIMI ME NISHANIN SINJAL POZITIV

Ora 13:00
Në një prononcim për shtyp përfaqësia e grevistëve thanë se nga takimi me presidentin Nishani ka sinjale pozitive duke u mbetur i hapur shtegu i bisedimeve deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare. Ata vlerësuan takimin me presidentin i cili sipas tyre ishte shfaqur i gatshëm për të zgjidhur kërkesat e tyre.

“Sapo erdhëm nga takim me zotin president. Është një sinjal pozitiv në vazhdimësi të zgjidhjes së kërkesave tona. Presidenti u tregua i vëmendshëm dhe pamë nga ana e tij gadishmërinë për të na ardhur në ndihmë. Aktualisht nuk mbërritëm në diskutim. Presidenti i mbajti shënim kërkesat tona dhe la të hapur shtegun e bisedimeve. Greva jonë do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim deri në zgjidhjen e kërkesave. Shtegu mbetet i hapur për vazhdimësinë e gjetjes së rrugëve të mundshme. Deri dje menduam se ishim të braktisur, sot kuptuam se ishim të përfaqësuar nga ai dhe jemi të kënaqur për gadishmërinë që shfaqi për të zgjidhur problemin. Takimi ka qenë me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve, nëse në takimet e tjera, do të jenë këta të fundit apo jo, i takon presidentit të vendosë. Nëse do ti kapërcejë le ta bëjë.. nga sot e tutje nuk e di si do të veprojmë” - tha grevisti Fatmir Lamaj.


ISH TE BURGOSURIT POLITIK TAKOHEN ME NISHANIN
Ora 12: 34
Përfaqësuesia e grevistëve zhvilloi sot paradite një takim me presidentin e Republikës Bujar Nishani. Takimi më shumë se një orësh u zhvillua në presidencë nën ndërmjetësimin e ambasadës së SHBA-së dhe BE. Rreth orës 12: 30 minuta tre grevistët, Fatmir Lamaj, Fatmir Lloci dhe Besim Valteri që u takuan me presidentin Nishani u rikthyen në çadër dhe janë mbledhur për të diskutuar në lidhje me negociatat. Pritet që pas pak kreu i shoqatës së ish të burgosurve politikë të dalë me një konferencë për shtyp. Në takim kanë qenë të pranishëm dhe përfaqësues të dy ambasadave. Në një kontakt telefonik që gazetarja e TV A1 Report, Gentiana Haxhija ka pasur me një nga grevistët që takuan presidentin, Besim Valteri mësohet se i ka thënë se "një pjesë e mirë e kërkesave janë zgjidhur" 

LIRAK BEJKO DO SHKOJE NE ITALI

Ora 12:00
Grevisti Lirak Bejko do të transportohet në Itali për një mjekim të specializuar. Në orën 13:00 grevisti i cili dy ditë më parë u vetëdogj me benzinë do të udhëtojë me një avion charter drejt Italisë. Ndërmjetësimi u bë nga PS. Gjëndja e tij shëndetësore mbetet e rëndë pasi ka pësuar djegie në 50 % të trupit.

SHBA E BE NDERMJETESON TAKIM MES NISHANIT E GREVISTEVE, PRESIDENCA S'E KONFIRMON
Ora 08: 44  Ambasada e SHBA dhe Ambasada e BE po ndërmjetësojnë për një takim mes presidentit të Republikës Bujar Nishani dhe ish të burgosurve politikë në grevë urie. Lajmi u konfirmua për TV A1 Report nga kreu i shoqatës së ish të burgosurve politikë, Skënder Tufa. Rreth orës 08: 30 minuta një makinë diplomatike e ambasadës së SHBA-së ndaloi pranë çadrës së grevistëve. Një përfaqësi prej 3 ish të burgosurish politikë, grevistët Fatmir Lamaj, Fatmir Lloci dhe Besim Valteri janë parë të hipin në makinën e ambasadës së SHBA-së.
“Sot u hap drita jeshile. Presidenti Nishani do të zhvillojë një takim me një përfaqësi të grevistëve. Këta njerëz janë të shoqëruar nga zv ambasadori amerikan dhe përfaqaësuesja e BE-së në Tiranë. “- deklaroi në një prononcim për median, në orën 08: 40 minuta Skënder Tufa. Ai tregon dhe për një kontakt që ka pasur me ambasadën ku i kanë thënë “Mos pretendoni se është zgjidhja përfundimtare. Ky është vetëm fillimi i bisedimeve.”- thotë Tufa duke shtuar se të panegociueshme janë “Shdëmtimi material. Një pension i përhershëm i posacëm sic i jepet Arianit Çelës”. Nga ana e saj zyra e shtypit e presidencës nuk konfirmon një takim.
“Këtë takim nuk mund ta konfirmojmë derisa e deklaron Skënder Tufa”- tha zyra e shtypit e presidencës.
Ambasada amerikane në një sqarim për median thotë se nuk është zv. ambasadori por oficer politik i kësaj ambasadës.

GJERGJ NDRECA PËR MJEKIM NË ATHINË
Ora 07: 00 Në orën 06: 45 minuta Gjergj Ndreca është nisur për mjekim të specializuar në Athinë. Mundësia e kurimit të tij jashtë u bë e mundur nga Partia Socialiste. Bashkëshortja e Ndrecës dhe një pjesë e grupit të punës për të përndjekurit, me në krye Keti Bazhdarin ishin sot në mëngjes në spitalin e djegies e plastikës në momentin kur u bë i mundur transportimi. “Dërgimi jashtë i grevistëve të djegur është bërë nën kujdesin e kreut të PS-së Edi Rama. Qeveria të marrë masa urgjente në mënyrë që të mos shohim më skena të tilla”- tha Bazhdari. Po shihet dhe mundësia e transportimit jashtë të Lirak Bejkos, por gjëndja e tij shëndetësore është më e rëndë se ajo e Gjergj Ndrecës.
gjergj ndreca
(ne foto Gjergj Ndreca duke u transportuar për ne Athine)

POLICIA BLINDON CADREN, 60 POLICË RUAJNË 11 GREVISTË
Tentativa e tretë pas vetëdjegies së grevistit Lirak Bejko dhe përfshirjes nga flakët e Gjergj Ndrecës bëri që policia të zgjerojë edhe më shumë perimetrin rreth të cilit mund t’i afrohesh çadrës. Nëse gjatë ditës së djeshme kordoni i policisë kishte rrethuar vetëm zonën rreth çadrës, pas tentativës së vetëdjegies të Gani Aliajt para kordonit të policisë, tashmë askush nuk lejohet të futet as në rrugicën që të çon drejt çadrës së ngujimit. Brenda 24-orëshit, janë të angazhuar plot 60 uniforma blu që ruajnë 11 grevistët të mos ndërmarrin ndonjë akt tjetër ekstrem të vetëflijimit. Gjithashtu mësohet se ata që ruajnë çadrën janë kryesisht të drejtorisë së policisë së Tiranës, për arsyen se ata janë efektivë më të specializuar për mbajtjen nën kontroll të situatave që kanë prioritet, ndërsa patrulla e komisariatit nr.1 qëndron në hyrje të rrugicës.

11 GREVISTËT NE GREVE URIE E KERKESAT E TYRE
Aktualisht në grevën e urisë ndodhen të ngujuar 11 grevistë. Gjatë ditës së djeshme është dërguar në spital njëri prej tyre, pasi situata e tij shëndetësore është rënduar së tepërmi, por gjithashtu i është rikthyer asaj Agim Kollçaku, grevisti tjetër që u dogj teksa tentoi të shuante flakët që përfshinë Lirak Bejkon. Ndërkohë që dy grevistë, Lirak Bejko i shtruar te djegia plastika u dërgua sot pasdite në Itali, Gjergj Ndreca në Athinë.  4 të tjerë janë nëpër pavione të ndryshme në QSUT, ndërsa një tjetër ndodhet i shtruar te kardiologjia për shkak të problemeve serioze që ka pasur me zemrën.

EMRAT E ISH TE BURGOSURVE NE GREVE
Ish të burgosurit politik në grevë janë Ramazan Spahiu, Afrim Biturku, Kujtim Kaziu, Arif Beu, Xhemal Zhuri, Besim Valteri, Lavdosh Bego, Gëzim Kullolli, Fatmir Lame, Llazi Koçi dhe Fatmir Lloshi.

Kërkesat e ish të burgosurve politikë janë: Të zhdëmtohen totalisht të burgosurit politikë duke iu llogaritur inflacionin 30% që është vlerësuar leku që nga 2007 deri më tani; Të merren në mbrojtje sociale ata që kanë mbetur vetëm; Të strehohen të burgosurit politikë; Ata që janë gjallë t'u akordohet pension sipas ligjit 7703 dt 11.5.93, neni 5 me procedurë të përshpejtuar dhe të drejtpërdrejtë; Trajtimi mjekësor të jetë falas për të burgosurit politikë; Ligjërimi në Parlament i konventës 12 i Këshillit të Evropës për hapjen e dosjeve; Të hapen dosjet e vonuara të të burgosurve politikë që nuk kanë marrë asnjë këst si dhe të hiqen nga parlamenti nenet e terrorit për të burgosurit politikë që janë dënuar në revoltën e Spaçit 73 dhe 84; Të punësohen të burgosurit politikë.

Ndërkohë që edhe Parlamenti u përfshi dje në akuza të ashpra mes palëve. PD akuzoi opozitën se përdor dhe nxit grevistët, ish të përndjekurit drejt këtyre akteve ndërsa PS i kërkoi qeverisë të dialogojë. Bashkimi Europian bën apel për dialog e dëmshpërblim.

(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Basha për takimin dhe antimitingun në Londër: Turp e faqja e zezë për Ramën dhe Berishën! Ata i duan shqiptarët mish për top, pazare dhe për pushtetin e tyre

Basha për takimin dhe antimitingun në Londër: Turp e faqja e zezë për Ramën dhe Berishën! Ata i duan shqiptarët mish për top, pazare dhe për pushtetin e tyre