Apokalips në parqet arkeologjike
Me gjithë protestat nga deputetët e dy partive megjithëse opozitare dhe të shoqatave për mbrojtjen e monumenteve, vala e shkatërrimeve të parqeve arkeologjike nuk po ndalet. Nuk kaloi shumë dhe Forumi për mbrojtjen e monumenteve shkon në Finiq për të parë sesi po e mbron shteti këtë park arkeologjik të famshëm, ku mendohet të ketë kaluar dhe vetë Jezu Krishti andej (Po t’i referohesh Biblës). Atje gjetën fshatarë që gërmonin bunkerët. Jo vetëm kaq, por zbuluan se ishin bërë edhe gërmime pa leje, ku nuk dihet më se çfarë antikash kanë vjedhur dhe zotëruar hajdutët. Fshatarët aty rrotull duke pasur interesin e vetëm të shqepin bunkerë për të marrë hekurin, nuk e patën vrarë mendjen sipas një bisede të Auron Tares me ta, se edhe vetë drejtori i Parkut arkeologjik “nuk pyet nga Ministri i Kulturës”. “Nuk e rruan për Ministrin”, thanë, “e ka vënë Astrit Patozi”. Këto janë fakte të turpshme dhe skema demaskuese për deputetët, ministrat dhe ata që drejtojnë shtetin, dhe prej tyre nuk kemi ende asnjë reagim apo reflektim, qoftë edhe ndaj akuzave me autorësi të spikatur, mirë për ato që i drejtohen shtetit “në përgjithësi”. Sikur ta kenë nuhatur shkelës të tjerë të ligjit që askush nuk çan kokë për arkeologjinë, së fundi bëhet një mësymje më madhe dhe barbare ndaj një parku tjetër arkeologjik.
Auron Tare: Trafikantët lokalë vjedhin objekte antike
Lajmi erdhi dje në redaksinë tonë, sigurisht shoqëruar me foto, pra me fakte, që s’do të donin shumë koment, por ndjenja e revoltës përpara këtyre pamjeve të bënë të ngresh zërin me të madhe. Dje janë kapur në flagrancë në një park tjetër arkeologjik jo shumë larg Finiqit, aty ku gjenden Tumat e Bajkajve, këto monumente unikale të Shqipërisë, persona që gërmojnë me buldozerë. Janë sulur mbi pirgjet e këtyre tumave prehistorike duke shkatërruar gjithçka merr buldozeri përpara. Për tumat arkeologët pohojnë se janë dëshmi unikale që sigurisht japin të dhëna për lashtësinë tonë dhe identitetin tepër të hershëm, ilir-pellazgë e më tepër. Tumat u gjetën të rrafshuara, ka dëshmuar dje për Shqiptarja.com Auron Tare. “Jo më larg Tumave të Bajkajve tashme të rrafshuara nga buldozerët që ndërtonin autostradën ndodhet një kodër e ulët me plot gjurmë muresh antike”, thotë ai. Sipas tij “Me sa duket arkeologët nuk e kanë pasur idenë se çfarë ka pasur kjo kodër deri sa 10 ditë më parë persona tashmë të identifikuar nga policia e Delvinës kanë gërmuar me ekskavator ditën për diell duke shkatërruar një monument antik i cili nga një vëzhgim i shpejtë mund të datohet si i shekullit të 3-të para Krishtit.” Më tej ai ka verifikuar se ky monument, me sa duket, ka qenë në rrugën antike që lidhet me qytetin e lashtë të Finiqit me prapatokën Ilire dhe duhet të ketë qenë një monument shumë i rëndësishëm. “Vetëm 50 metra nga rruga që po ndërtohet kjo kodër është gërmuar në mënyrë ilegale nga trafikantët lokalë, por deri tani askush nuk është marrë me ta për t’i vendosur përpara përgjegjësisë penale”, thotë Auron Tare. Tuma gjenden me shumicë në Shqipëri që variojnë që nga tuma e famshme e Kamenicës, që është një nga tumat më të mëdha të njohura deri më tani e drei në Finiq e gjetkë. Në tumat brenda Shqipërisë arkeologët kanë zbuluar deri më sot mbi 3500 objekte objekte antike. Nuk dihet gjatë këtyre viteve të fundit sa kanë zbuluar hajdutët ordinerë dhe piratët e arkeologjisë. Me një gjuhë më të thjeshtë ato janë varre antike të mbushura plot me thesare që iu përkasin periudhave të ndryshme që nga koha para Krishtit deri në bronzin e vonë rreth shek XII p.e.s.
(sg/shqiptarja.com)
