Rritja e nivelit të ujërave në bregdetin e Ksamilit ka nxjerrë në pah pasojat e punimeve që po kryhen në kuadër të projektit të ndërtimit të shëtitores. Deti në zonën ku po zhvillohen ndërhyrjet është turbulluar ndjeshëm, ndërsa në sipërfaqe dallohet përzierja e ujit me baltë dhe materiale të hedhura pranë vijës bregdetare.

Pamjet tregojnë ndërhyrje të drejtpërdrejta në breg dhe mbushje me materiale inerte dhe balte, të cilat, me rritjen e dallgëve, janë shpërndarë në ujë duke ndryshuar ngjyrën dhe pastërtinë karakteristike të zonës. Ksamilit, i njohur për ujërat e kristalta dhe potencialin turistik, po përballet me një situatë që ngre pikëpyetje mbi ndikimin mjedisor të punimeve.

Situata e krijuar paraqet shqetësim edhe për projektin e muzeut nënujor në Ksamil, ku disa anije të flotës detare shqiptare janë zhytur vite më parë për qëllime turistike, ndërsa mbetet për t’u parë nëse punimet aktuale do të kenë ndikim në këtë muze nënujor dhe botën e pasur nënujore të zonës së Ksamilit.