Turin e takimeve që ka nisur në të gjithë Shqipërinë, Lulzim Basha e ndali në Tiranë. I pashqetësuar nga lufta e brendshme, qoftë me demokratët e Foltores, e qoftë në parlament me deputetët e Gazment Bardhit, kreu i PD thotë se Partia Demokratike do të çojë para nismat, të cilat tashmë po ia prezanton dhe drejtpërdrejtë qytetarëve.
“Shumë qytetarë më kanë thënë se i kanë mirëpritur propozimet e mia që vetting-u në politikë të faktojë kush janë politikanët e korruptuar. Ata duan që ta zgjedhin vetë deputetin e tyre dhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të kenë mundësi të votojnë në zgjedhje nga aty ku jetojnë e po kështu që Presidentin ta zgjedhë drejtpërdrejt populli.”- tha Basha.
![]()
Basha thotë se deputetëve dhe qeveritarët duhet të mos kenë asnjë mburojë imuniteti për t’u hetuar nga SPAK.
“Paratë që duhet të shkonin te qytetarët, sot përfundojnë në xhepat e një grushti oligarkësh të lidhur me qeveritarë të korruptuar. Për këtë ne kemi kërkuar që deputetët dhe qeveritarët të mos kenë asnjë imunitet për t'u hetuar nga SPAK.”- u shpreh Basha.
Kreu i PD ka nisur takimet me qytetarët në të gjithë qytetet e vendit. Ky tur, që shihet si një fushatë e parakohshme, pritet të zgjasë rreth dy muaj, kohë kur PD do të përfundojë të gjithë procesin e reformimit të brendshëm, reformim që ka lënë jashtë strukturave të PD zyrtare berishistët.

