Vizita e Marco Rubio ishte etapa e fundit e një turi të vrullshëm në Europë, gjatë të cilit ai mori pjesë edhe në Konferencën e Sigurisë në Mynih dhe vizitoi një tjetër aleat të djathtë, kryeministrin sllovak Robert Fico.

Presidenti amerikan Donald Trump nuk e ka fshehur vlerësimin e tij të lartë për Viktor Orban, duke thënë në një postim në rrjetet sociale të premten se kryeministri kishte arritur rezultate "fenomenale" në Hungari.

Por Orban përballet me një sfidë serioze në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit në Hungari. Sondazhet sugjerojnë se partia e tij Fidesz është pas liderit të opozitës Peter Magyar dhe lëvizjes së tij TISZA.

Në një fjalim të shtunën, Orban këmbënguli se do të vazhdojë luftën e tij kundër "organizatave pseudo-civile, gazetarëve të blerë, gjyqtarëve, politikanëve", një retorikë jo shumë ndryshe nga ato që preferon Trump.

Ai sulmoi gjithashtu "makinerinë shtypëse të Brukselit", një tjetër thumbim ndaj udhëheqjes së Bashkimit Europian, me të cilën ka qenë prej kohësh në konflikt për një sërë çështjesh.

Orban është nën kritika nga drejtuesit e BE-së për atë që ata e konsiderojnë si heshtje të zërave kritikë në gjyqësor, akademi, media dhe shoqëri civile. Ata gjithashtu e akuzojnë për presion ndaj minoriteteve.

Tensionet me BE-në shtohen edhe nga marrëdhënia e ngushtë që ai ka ruajtur me presidentin rus Vladimir Putin, një tjetër element që e ka të përbashkët me Trump.

Ton pajtues

Rubio mbërriti në Budapest të dielën në mbrëmje dhe pritej të zhvillonte bisedime me Orban të hënën në mëngjes përpara se të kthehej në Uashington.

Vendimi për të vizituar Ficon dhe Orbanin, dy liderë nacionalistë të afërt si me Trump ashtu edhe me Putinin, dhe jashtë konsensusit të BE-së, dërgon një mesazh të qartë diplomatik.

Në fjalimin e tij të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Rubio i bëri thirrje uvropës t’i bashkohej Trumpit në luftën për të mbrojtur qytetërimin perëndimor nga kërcënimi i emigracionit masiv.

Megjithatë, ai u përpoq gjithashtu të qetësonte liderët evropianë lidhur me qëndrimin e SHBA-ve për NATO-n dhe për Groenlandën.

"Ne duam të jemi partnerët tuaj. Ne duam të punojmë me Europën. Ne duam të punojmë me aleatët tanë", tha Rubio.

Orban është një nga disa liderë që kanë njoftuar se do të udhëtojnë drejt Uashingtonit javën e ardhshme për mbledhjen inauguruese të "Bordit të Paqes" të Trumpitn të cilin kritikët e shohin si një instrument për të minuar Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Orban u bë hero për shumë mbështetës të Trumpit për qëndrimin e tij armiqësor ndaj migracionit gjatë krizës së refugjatëve sirianë një dekadë më parë. Ai ka bërë disa vizita në resortin Mar-a-Lago në Florida.

Energjia do të jetë gjithashtu në axhendën e bisedimeve të së hënës, ashtu siç ishte edhe në Sllovaki.

Kur Orban vizitoi Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025, Trump i dha Hungarisë një përjashtim nga sanksionet e vendosura ndaj importeve ruse të naftës dhe gazit për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:35
Zgjedhjet në Hungari, Marco Rubio: Trump është 'thellësisht i përkushtuar' ndaj suksesit të Orban

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe kryeministri hungarez Viktor Orban

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, doli hapur në krah të kryeministrit hungarez Viktor Orban, vetëm pak javë para zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit në Hungari.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Budapest, Rubio tha se presidenti Donald Trump është “thellësisht i përkushtuar ndaj suksesit” të Orban.

“Po flas shumë hapur me ju,” tha Rubio. “Kryeministri dhe presidenti kanë një marrëdhënie shumë, shumë të ngushtë personale dhe pune, dhe mendoj se ka qenë e dobishme për dy vendet tona.”

Ai shtoi se lidhja direkte mes Orban dhe presidentit Donald Trump “ka bërë gjithë diferencën në ndërtimin e kësaj marrëdhënieje”.

“Mund t’ju them me besim se presidenti Donald Trump është thellësisht i përkushtuar ndaj suksesit tuaj, sepse suksesi juaj është suksesi ynë,” deklaroi Rubio, duke folur për një “epokë të artë” në marrëdhëniet SHBA–Hungari.

Nga ana e tij, Orban tha se Hungaria vazhdon të mbështesë përpjekjet amerikane për paqe në Ukrainë dhe se mbetet e hapur për të pritur një samit paqeje.

Ai theksoi se qeveria e ardhshme në Budapest do të formohet “pas zgjedhjeve, bazuar në vullnetin e hungarezëve”.

“Ndonjëherë humbas, ndonjëherë fitoj,” tha Orban, i cili është në pushtet që nga viti 2010. “Mos kini frikë se çfarë do të ndodhë nëse nuk fitojmë, sepse kjo ka ndodhur rregullisht këtu.”

Vizita e Rubios përfshiu edhe nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëpunim civil bërthamor, të promovuar nga presidenti Donald Trump që parashikon blerjen e mundshme të reaktorëve bërthamorë të vegjël modularë, furnizim me karburant bërthamor nga SHBA dhe teknologji për magazinimin e mbetjeve.

Budapesti ishte ndalesa e fundit e turneut rajonal të Rubios, pas vizitës në Sllovaki dhe pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Sllovakia dhe Hungaria, të drejtuara nga liderë populistë euroskeptikë që kundërshtojnë mbështetjen për Ukrainën dhe mbështesin hapur Trump, janë terren i favorshëm për marrëveshje energjetike me SHBA.

Zgjedhjet e 12 prillit konsiderohen testi më i vështirë për Orban dhe partinë e tij Fidesz që nga rikthimi në pushtet në 2010. Sipas sondazheve të pavarura, lideri i opozitës, Peter Magyar, dhe partia e tij e re e qendrës së djathtë Tisza, kanë një avantazh të ndjeshëm në prag të votimit.