Pasi Sekretari i SHBA Marco Rubio deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa “i përkasin njëra-tjetrës” në një fjalim pajtues në Konferencën e Sigurisë në Mynih, homologu i tij kinez doli në skenë me mesazhin e tij.

“Kina dhe BE-ja janë partnerë, jo rivalë,” tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi para audiencës, duke folur nga e njëjta skenë të shtunën.

“Për sa kohë që e kuptojmë qartë këtë pikë, do të jemi në gjendje të bëjmë zgjedhjet e duhura përballë sfidave, të parandalojmë ndarjen e komunitetit ndërkombëtar dhe të promovojmë përparimin e vazhdueshëm të qytetërimit njerëzor.”

Dalja e dyfishtë Rubio-Wang erdhi në një moment kur rishikimi i politikës së jashtme amerikane ka tronditur lidhjet tradicionale të SHBA-së me aleatët perëndimorë, të cilët tani deklarojnë hapur se epoka e sigurisë dhe rregullave globale të mbështetura nga SHBA ka marrë fund. Tani gara ka nisur për të formësuar atë që do të vijë më pas.

Rubio përdori fjalimin e tij në takimin vjetor të elitës së sigurisë për të siguruar liderët evropianë se administrata e Presidentit Donald Trump është e përkushtuar ndaj aleancës me ta, edhe pse beson se ata duhet të bëjnë më shumë për ta mbështetur atë, si dhe se sistemi aktual ndërkombëtar duhet të “rindërtohet”.

Ndërkohë, Wang, një diplomat me përvojë që për më shumë se një dekadë ka qenë fytyra e politikës së jashtme të Xi Jinpingut, ishte gati me kundërpërgjigjen e tij të matur.

Problemet me sistemin aktual ndërkombëtar, tha ai, nuk qëndrojnë kryesisht te Kombet e Bashkuara, por te “disa vende që zmadhojnë dallimet, ndjekin një qasje ‘vendi i pari’, angazhohen në përplasje blloqesh dhe rikthejnë mendësinë e Luftës së Ftohtë”.

Kina dhe Evropa, shtoi ai në një qortim të dukshëm ndaj politikës amerikane – duhet së bashku të refuzojnë “praktikat njëanshme”, të mbrojnë tregtinë e lirë dhe të kundërshtojnë përplasjen e blloqeve.

Megjithatë, Wang e paraqiti ofertën e Kinës në një moment kur Pekini kërkon gjithashtu të ruajë stabilitetin në marrëdhëniet me SHBA-në, përpara një vizite të pritshme të Trumpit në Kinë më vonë këtë pranverë.

Pesha e këtij takimi është e lartë, pasi ai mund të konsolidojë stabilitetin relativ mes dy ekonomive më të mëdha në botë, që u arrit pas takimit Xi-Trump në Korenë e Jugut vjeshtën e kaluar. I pyetur për vizitën, Wang tha në Mynih se ishte “i sigurt” për perspektivën e marrëdhënieve Kinë-SHBA, por paralajmëroi për mënyrën se si ato mund të devijojnë.

Ekzistojnë “dy skenarë të ndryshëm” për marrëdhëniet mes dy vendeve: një ku SHBA “e kupton Kinën në mënyrë të arsyeshme” dhe bashkëpunon, dhe një tjetër ku SHBA kërkon shkëputje ekonomike, kundërshton Kinën në mënyrë refleksive dhe shkel “vijat e kuqe” të saj, përfshirë Tajvanin.

Rruga e dytë, tha ai, ka gjasa “t’i shtyjë Kinën dhe Shtetet e Bashkuara drejt konfliktit”.

Rubio foli gjithashtu për marrëdhëniet SHBA-Kinë gjatë konferencës, duke thënë në një sesion pyetje-përgjigje se do të ishte “neglizhencë gjeopolitike” nëse “dy nga fuqitë e mëdha të planetit” nuk do të komunikonin për të menaxhuar fushat ku interesat e tyre nuk përputhen.

Rubio dhe Wang u takuan gjithashtu të premten në margjinat e konferencës, në bisedime që duket se përgatitën terrenin për vizitën e pritshme të Trumpit. Ëang tha pas takimit se diplomatët e lartë patën bisedime “pozitive dhe konstruktive” dhe do të “zbatojnë së bashku konsensusin e rëndësishëm të arritur nga” liderët e tyre përkatës.

Pyetja kyçe është se sa thellë po e dëgjon Evropa mesazhin më të gjerë të Kinës. Pekini prej kohësh ka kërkuar të promovojë vizionin e tij për një botë që nuk dominohet më nga aleancat dhe institucionet e udhëhequra nga SHBA, por është më miqësore ndaj interesave të tij. Ai e sheh Evropën si një pol të rëndësishëm që nuk duhet të rreshtohet automatikisht me SHBA-në. Kina është “një forcë e qëndrueshme për paqen” dhe “një forcë e besueshme për stabilitetin”, ishte mesazhi i Ëangut, teksa prezantoi iniciativën e Xi-t për riformësimin e qeverisjes globale si përgjigje ndaj momentit aktual.

Megjithatë, mesazhi i Pekinit përballet me skepticizëm, pasi liderët evropianë shqetësohen për deficitin e madh tregtar me Kinën dhe kontrollin e saj mbi zinxhirët strategjikë të furnizimit.

Marrëdhëniet janë tensionuar vitet e fundit për shkak të mbështetjes së Kinës ndaj Rusisë në luftën në Ukrainë, si dhe për shkak të shqetësimeve evropiane mbi aktivitetet ushtarake kineze në Detin e Kinës Jugore dhe rreth Tajvanit.

Të dielën, ministri i Jashtëm i Tajvanit, Lin Chia-lung, kundërshtoi paraqitjen e Kinës si një fuqi paqësore, duke thënë se “provokimet ushtarake” të fundit bien ndesh me parimet e OKB-së. (Kina thotë se stërvitjet e saj ushtarake mbrojnë “sovranitetin kombëtar”, ndërsa Ëang akuzoi disa vende se “po përpiqen të ndajnë Tajvanin nga Kina” dhe e paraqiti Japoninë, jo veten, si kërcënim rajonal.)

Megjithë shqetësimet, Pekini sheh një mundësi ndërsa liderët perëndimorë rikalibrojnë politikën e tyre të jashtme përballë marrëdhënieve në ndryshim me SHBA-në. Në muajt e fundit, disa liderë të vendeve aleate të SHBA-së kanë vizituar Pekinin për të thelluar bashkëpunimin dhe dialogun me Kinën, ndërsa përballen me fërkime me Uashingtonin.

Para konferencës në Mynih, organizatorët deklaruan se rendi ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA pas vitit 1945 është “nën shkatërrim”, me SHBA-në që vepron si “topi shkatërrues” më i fuqishëm.

Evropianët mund të kenë marrë frymë lehtësimi pas fjalimit të Rubios, por kërcënimet e Trumpit muajin e kaluar për të marrë kontrollin e Groenlandës territor i aleatit të NATO-s, Danimarkës ende jehonë në veshët e tyre. Dhe Pekini shpreson që Evropa, të paktën, të dëgjojë pak më me vëmendje ofertën e tij./CNN