Turistë pa vezirë në Roshnik

Turistë pa vezirë në Roshnik

Roshnik, Berat

Falë ftesës së Kryetarit të Bashkisë në Berat, vendosëm të shkojmë në Roshnik.

Fshati është rreth 18 kilometra larg Beratit.

Shtrihet në një pllajë, mes dy përrenjëve. Kudo ka taraca. Të mbjella me fruta dhe vreshta.

Me famë është fiku.

Sipas gojdhënave fiku ka ardhur, 300 vjet më parë, “mysafir” nga Palestina.

I “pëlqeu” klima dhe toka. U shtua. Ndoshta u kryqëzua me rracë vendi.

“Pushtoi” gjithë krahinën.
Nga Roshniku në shumë fshatra të Shqipërisë.

Kudo ruan “patentën” -Fik Roshniku.

Fiku përdoret:

1. I freskët.
2. Bëhet varg dhe thahet në diell.
3. Bëhet bukëfiqe.
4. Reçel dhe giliko.

Para viteve ‘90 fiku eksportohej me shumicë. Sot më pak.

Në kohë lufte është përdorur edhe si ushqim për njerëzit

Në qëndër të fshatit është shkolla:

“ Mehmet Pashë Qyprilliu”

-Këtu nis historia,-i them Ezmerkës.- Mehmet Pasha lindi rreth vitit 1600 në Roshnik. Në një familje ortodokse.

E morën jeniçer në Stamboll.

E bënë synet. “Pasaporta” për tu bërë musliman.

-Mehmeti karierën e nisi si guzhinier.

I rrëmbyer, pas një sherri, djalin e përzunë nga Stambolli. Shkoi në një qytet në Anadoll.

I bukur. Atlet. I rrëmbeu zemrën vajzës së sanxhakbeut.

Pas dashurisë erdhi martesa.

Pas martesës u hap rruga e karierës.

Vjerri u bë kryevezir.

Dhëndrri komandanti jeniçerëve.

Më vonë:
Komandant i rojeve të stulltanit.

Kryepolic i tregut.

Komandant i spahijve.

Ministër pa protofol.

Viti 1665.
Mehmeti festoi datëlindjen: 80 vjeç.

Kishte ftuar shumë miq. Mes tyre kryearkitekt Kasemi. Edhe ky shqiptar.

Kryearqtekti, i mbushi mendjen sulltanit të emëronte Mehmetin -Vezir të Madh.

Pas vdekjes, vendin e tij e zuri i biri.

15 vjet Vezir i Madh.

Vdiq.

Nuk u zbulua shkaku.

Dihet pasuesi: vëllai.

Veziri i tretë nga Roshniku drejtoi betejën për pushtimin e Vjenës.

Dështoi.

Sulltani i preu kokë.

Por “sëpata” nuk e mbylli derën e fisit nga Roshniku.

Në fillim të shekullit të 20-të Fuad Qyprilliu njeri i letrave dhe politikan, bëhet zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Turqisë.

-Pse kaq gjatë më rrëfeve historinë e familjes së lashtë?-Tha Ezmerka.-

-Për dy arsye.

Së pari.
Në Turqi vendi i sulltanit trashëgohej brez pas brezi.

Por shkallët e pushtetit mund ti ngjiste kushdo: turk, bullgar, tartar, boshnjak.

Vetëm nga Shqipëria ka pasur 30 vezirë.

Shance për të gjithë, në Turqinë e mesjetës, si në demokracinë amerikane-sot.

Së dyti.
Mehmet Pasha u largua nga Roshniku fëmijë.

Por as ai, e as pasardhësit e tij, nuk e harruan Roshnikun.

Ata ndërtuan xhaminë e fshatit. Çezmën. Mullirin. Urën. Rrugët.

Morën djem nga fshati në Stamboll. I shkolluan. I pasuruan. U hapën rrugët për tu bërë jeniçerë, doganierë, taksidarë, diplomate.

Rruga e shtruar me asfalt përfundonte tek restoranti

ALPETA.

Tek dera na priti pronari, Petrit Iska.

-Më mori në tel Kryetari i Bashkisë në Berat:

-Bëj kujdes me Mitron. Është politikan i dështuar, i martuar dy herë me një grua dhe punon tek Fiks Fare.

Po nuk e “sajdise” na bën gjëmën!

-Ta nisim me një guidë? Kjo është punishtja e verës. Bëjme verë të kuqe dhe të bardhë.

-Rrush Pulëz. “Rracë” vendi. E ka seleksionuar perëndia.

I ka dhënë edhe emrin verës. E pëlqejnë turistët. Shesim edhe në treg.

-Kati i dytë. Restoranti. Guzhina. Banaku.

Po këtu “piqet” rakia.

-Kishim një kazan të shtëpisë. I bëmë dy. Kur pikon rakia, lëshon aromë. U pëlqen turistëve.

-Këtu kemi edhe “dyqan”. Turistët blejnë verë ose raki.

-Si i keni marrëdheniet me bashkinë?

-Fshati kërkon nga shteti tre gjëra: rrugë. Drita. Ujë. Të treja i kemi.

-Kam një rezervuar të madh. Turistët shëtisin me varka. Lahen. Mund të zënë peshk.

Bashkia ka bërë një projekt: rrugë për makinë rreth e rrotull rezervuarit. Një gjë plus për turistët.

-Ka turistë që i ngjiten Tomorit!
Alpinizmi i ka rrënjët në mesjetë.

Çelepiu, në kronikat e tij, shkruan për turizmën në Tomor.

-Ka turistë që duan të shëtisin në Parkun e Madh të Malit Tomor.

Statusin parku e ka marrë në vitin 1956.

-Agrobisnesi do punë! Ka njerëz në fshat?

-Edhe ka. Edhe s’ka.Të rinjtë e kanë mendjen në Itali, Greqi, Angli.

-Por në Roshnik kemi ca sekrete. Lulëzojnë tre bisnese.

Së pari.
Bisnesi familjar. Në guzhinë punojnë gruaja ime dhe e vëllait. Dhe dy gra nga fshati. Djemtë i kam studentë. Punojnë kamariere.

Së dyti.
Bisnesi i fisit.

Në fshat jemi fis i madh: kushërinj. Krushq e krushka.

Vjen koha e vjeljes së rrushit ose fikut. Bëjmë aksion si fis. Nga një familje tek tjetra. Ulen edhe shpenzimet.

Së treti.
Bisnesi i fshatit.

Roshniku është qendër administrative. Ka 10 fshatra. Me rreth 6000 banorë.

Nga fshatrat gjenden njerëz për të punuar tokat, për të shërbyer në agrobisnes.

U ulëm në tavolinë. Petriti pyeti Noah( nipi), çfarë do pish?

-Coca Cola?

-Nuk kemi! Vetëm lëngje. I kemi hequr kanoçet. Mësuam nga “Mrizi i Zanave”.

-Juve si çift do u qiras me raki dhe verë të bardhë…

-Si u duket rakia?

-Ka një shije sikur ha bajame?-Tha Ezmerka.-

-E saktë. Ka si esencë bajame të egra. E pëlqejnë turistët.

Duam të bëjmë një “brend” të ri. Do punë. Do reklamë.

Menuja? Bio. Mish keci. Zogj fshati. Byrek. Perime të skarës. Djathë.

Ndërkohë tavolinat u mbushën. Më shumë turist italianë e shqiptarë. Më pak anglezë e gjermanë.

-Javën e parë të shtatorit, në Roshnik bëhet një festë e bukur. Agrobisnesi reklamon prodhimet.

Jeni të ftuar…edhe për darkë. Kam ndërtuar një hotel me tetë dhoma…

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja