Turistët e mashtruar, 11 ngelen
në Egjipt, 180 kthehen në Tiranë

TIRANE- Ka përfunduar aventura e hidhur për 180 turistë shqiptarë të cilët kishin shkuar me pushime në Sharm el Sheik nga agjencia e udhëtimeve “Pasha Holiday’. Ndërsa për 11 turistë shqiptarë ankthi vazhdon. 

Shqiptarët e mashtruar nga shoqëria “Pasha Holiday”, e gjendën veten në udhëkryq të vërtetë, kur mësuan se kompania kishte shpallur falimentimin dhe nuk do t’i paguante biletën e kthimit, siç ishte parashikuar në paketën turistike.

Gati 180 turistë të cilët paguan vetë biletën e kthimit, arritën të ktheheshin në Shqipëri një orë pas mesnates së mbrëmshme, me një avion të kompanisë Belle Air, përkundrejt pagesës 250 euro personi. Avioni i nisur në orët e mbrëmjes nga aeroporti i Sharm el Sheik zbriti në orën 01:00 në aeroportin “Nënë Tereza”.

11 SHQIPTARE MBETEN NE KAJRO 
Duke u nisur nga aeroporti i Sharm el Sheik, Eno Roshi, në një lidhje telefonike deklaroi se ishin 11 vetë që ngelën në aeroport. Janë një grua e moshuar, e paralizuar, 2 fëmijë, 6 gra dhe 2 burra. Nga ana e saj konsulli shqiptar thote se bëhet fjalë për 9 turistë. Ata kanë udhëtuar gjithë natën nga Sharme el Sheik drejt ambasadës shqiptare në në Kajro. I kontaktuar me telefon nga Tv A1 Report, konsulli në ambasadën shqiptare në Kajro, Spartak Topollaj deklaroi se po negociohet për të siguruar bileta me “Turkish Airlines” për linjën Kajro - Stamboll - Tiranë. Edhe këta persona do ta blejnë vetë biletën, e cila do të jetë më shtrenjtë pasi është linjë që kalon transit.
“Po interesohemi për rikthimin e tyre në atdhe, por këto tre ditë është tepër e vështirë pasi për shkak të sezonit turistik fluturimet janë të prenotuara”- sqaroi zoti Topallaj sot në mëngjes për tv A1 Report.

KTHIMI I MUNDIMSHËM
Të 180 turistët e zbritur një orë pas mesnatës së të hënës në aeroportin Nënë Tereza u detyruan të bënin një pagesë ekstra për biletën e kthimit, krahas shpenzimeve që kishin bërë në paketën turistike 10 ditore. Disa kanë arritur ta blejnë biletën përmes familjarëve nga Tirana, por disa të tjerë e patën të vështirë të siguronin pagesën prej 250 eurosh për person duke rrezikuar të mbesin në aeroportin e qytetit egjiptian.

“Unë isha vetë e katërta, me dy fëmijë, dhe më duheshin 1000 euro. Kontribuoj i gjithë farefisi. Nuk e përshkruaj dot- vazhdon të tregojë vuajtjet një nga turistet që sapo zbritur në aeroportin Nënë Tereza- Kemi ndenjur që në orën 10:00 në aeroport deri në orën 22:00 të darkës, kur erdhi avioni. Imagjinoni fëmijët ndenjën 12 orë në aeroport pa ngrënë pa pirë.Një tjetër turist tregoi se “Shumica kishin paguar, ndërsa 1/3 kishte paguar biletat gjatë kohës që ishin në aeroport.

APELI PER NDIHME DHE NDIHMA E VONUAR E AMBASADES TONE
Turistët janë ndjerë jashtë vëmendjes dhe të papërkrahur nga përfaqësia shqiptare në Egjipt, e cila fillimisht duket se ka injoruar apelin e tyre për ndihmë. Të pyetur nga gazetari Arsen Rusta i tv A1 Report, (jo vetëm një turist por disa) nëse ndonjë nga përfaqësia e shtetit shqiptar në Egjipt, kishte kontaktuar me ta gjatë javës së kaluar,  turistët një zëri u përgjigjen negativisht. Që prej të premtes, kur turistët kishin mësuar se agjencia e udhëtimit kishte shpallur falimentimin e nuk dinin si do u vente halli, denoncuan shqetësimin e tyre në media. Madje dhe në lidhjet telefonike që bënin me mediat shpreheshin se kishin kontaktuar me telefon me ambasadën shqiptare por askush nuk i ishte përgjigjur.

“I telefonuam ambasadës shqiptare në Egjipt na tha merrni pas 10 minutash dhe më pas telefoni u fik. Nuk na dilte asnjë.”- tregon një turiste, një tjetër shton se nuk kishte parë asnjë përfaqësues të ambasadës shqiptare vetëm turistët.

Konsulli në ambasadën shqiptare në Kajro, Spartak Topollaj i kontaktuar me telefon nga gazetarja Mira Kazhani e Tv A1 Report mohoi që ndihma ndaj turistëve të ketë ardhur vonë. Madje ai shprehu keqardhje për dëshmitë që ka dëgjuar nga qytetarët, të cilët thotë se ishin anonimë.

“Nuk është e vërtetë që na kanë telefonuar më parë. Vetëm dje na është telefonuar dhe kemi reaguar menjëherë”- thotë Topollaj tepër i indinjuar ndërsa kërkon të shpjegojë në lidhje telefonike me gazetaren dhe ngarkesën e punës që kjo ambasadë ka.

Vëmendja ndaj tyre është kthyer të hënën në mbrëmje kur bëhej fjalë sesi do të ktheheshin në Shqipëri. Gazmend Turdiu, sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, deklaroi dje për tv A1 Report se kishin kontaktuar me drejtorin e “BelleAir” për të siguruar fluturimin por biletat duhej të paguheshin vetë.

Ndërsa sot konsulli Topollaj, deklaroi se 9 turistët e ngelur në Egjipt ndodheshin në ambasadën e Kajros.  Pritet që gjatë këtyre 3 ditëve të bëhet dhe kthimi i tyre. 
Redaksia online
(su.ge/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 29 Janar, 13:14

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?



×

Lajmi i fundit

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë

Udhëhoqi operacionin ushtarak për rrëzimin e Bashar al-Assad, Ahmed Al-Shaara bëhet president i përkohshëm i Sirisë