TIRANE - Sipas ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, gjatë vitit 2011 Shqipërinë e vizituan 2.733.650 vizitorë, ku 46 për qind e tyre, apo 1.2 milionë ishin qytetarë nga Kosova.

Pas kosovarëve, Shqipërinë e vizituan më së shumti maqedonasit (12 për qind), malazezët dhe grekët me nga 6 për qind, italianët (5 për qind) dhe anglezët e gjermanët me nga 3 për qind.

Por, zyrtarë të kësaj ministrie, por edhe pronarë të agjencive turistike shpresojnë se sivjet numri i turistëve kosovarë që do ta vizitojnë Shqipërinë do të jetë edhe më i madh për shkak të modernizimit të infrastrukturës rrugore.

Nga fillimi i muajit maj, është rritur numri i udhëtimeve në grup nga Kosova në Shqipëri e sidomos gjatë fundjavave, një pjesë me makina private dhe të tjerë me linja të rregullta të autobusëve.

Sipas drejtuesve të stacionit të autobusëve në Prishtinë, aktualisht për në Shqipëri janë vetëm pesë linja të rregullta ditore. Sipas tyre, në mëngjes janë tri linja të rregullta, në mesditë është një dhe në mbrëmje vonë është edhe një tjetër, raporton e përditshmja e Prishtinës “Zëri”. “Këto linja janë të rregullta edhe gjatë kohës së dimrit, ndërkaq, nga 10 qershori rritet dukshëm numri i autobusëve që udhëtojnë drejt Shqipërisë”, tha përmes telefonit një punëtor i stacionit të autobusëve në Prishtinë.

Statistika të turizmit në Shqipëri sipas MKTRS

Në vitin 2011 në Shqipëri kanë hyrë:

77.451 vizitorë me pasaportë gjermane, 34% më shumë se më 2010
76.604 vizitorë me pasaportë angleze, 23% më shumë
151.256 vizitorë me pasaportë greke, 34% më shumë
30.620 vizitorë me pasaportë franceze, 19% më shumë
32.604 vizitorë me pasaportë zvicerane, 46% më shumë

(gk/im/shqiptarja.com)