POGRADEC - Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, Në një intervistë për Shqiptarja.com, shpjegon me detaje punën e kryer gjatë këtij viti, për të pritur sa më mirë pushuesit që zgjedhin këtë qytet. Sezoni turistik që çelet nesër, sipas tij do të jetë një nga më mrekullueshmit për shqiptarët dhe të huajt, pavarësisht se kryebashkiaku Shkëmbi shprehet me rezerva për ndihmën e pushtetit qëndror. Por, ai nuk harron të falënderojë biznesin vendas për punën dhe iniciativat e ndërrmarra, vetëm apo me ndihmën e bashkisë.

Artan Shkëmbi Kryetari i Bashkisë Pogradec
Z Shkëmbi, (foto) Pogradeci prej vitesh në verë kthehet në një “kryeqytet“, pasi i tre fishohet popullsia nga pushuesit vendas dhe të huaj që vijnë pushojnë në Pogradec. Cila është e reja e këtij sezoni që ju do ta çelni më datën 4 maj?
Eshtë e vërtetë, Pogradeci mirëpret një numër të konsiderueshëm turistësh vendas e të huaj, pushues e vizitorë, por edhe kalimtarë për shkak të pozicionit gjeografik të përshtatshëm. Po përgatitemi që të presim një fluks të madh, megjithëse fushata elektorale do të ndikojë jo aq pozitivisht në këtë sezon.

Qyteti po përgatit infrastrukturën e nevojshme për këtë vit, duke shtuar kontenierët e mbetjeve urbane me rreth 120 copë, duke marrë masat për furnizim normal me ujë të pijshëm 24 orë, duke pastruar e përgatitur plazhin dhe parkun e qytetit, por edhe duke krijuar kushte për subjektet private për rritjen e kapaciteteve të shërbimit dhe aktivitetet argëtuese.

Promocioni i muajve të fundit, pjesmarrja në panaire lokale e ndërkombëtare, koordinimi me agjencitë turistike shqiptare, por edhe ato maqedonase, por edhe tradita dhe mbresat pozitive të lëna tek pushuesit e viteve të kaluara, do të shumëfishojnë të ardhurit e këtij viti.

Do të jetë ngarkesë e madhe pune për ne, sepse na duhet të menaxhojmë trafikun e rënduar, parkimet, pastrimin e qytetit, ujësjellësin, plazhet dhe kanalizimet, por në fund të fundit do të mund të sigurojmë pushime komode për të ardhurit dhe më shumë të ardhura për qytetarët tanë dhe rritje të mirëqenies së tyre, që është edhe qëllimi final i punës sonë.

Këtë vit ka një plan të detajuar për shërbimet që do të ofrohen, për përgatitjen e plazheve dhe ndarjen e qartë të atyre publike. Jemi fitues të çmimit të turizmit për produktin më të mirë për vitin 2012 dhe po punojmë sërish me ritme më të larta, jo vetëm për ta merituar atë, por edhe për ta mbajtur sërish flamurin e turizmit shqiptar edhe për këtë vit.

Cili është kapaciteti hotelier që mund të përballojë Pogradeci këtë verë?
Pogradeci ka rritur vit pas viti kapacitetet hoteliere, por edhe cilësinë e tyre dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Askush nuk do të investonte në rritjen e kapaciteteve, nëse ato ekzistuese nuk do të shfrytëzoheshin. Eshtë shenjë e rritjes që ka ndodhur vitet e fundit si dhe e shndërrimit real të turizmit në një industri që gjeneron të ardhura dhe rrit mirëqënien e qytetarëve të Pogradecit.

Ka një rritje të ndjeshme vetëm në vitin e fundit të kapaciteteve të hoteleve kryesore të qytetit, të Hotel Enkelanës, Hotel 1 Majit, Hotel Royal, Hotel Perla dhe disa të tjerë në rrethinat e Pogradecit. Gjej rastin t’i falënderoj pronarët e këtyre hoteleve që investojë në fushën e turizmit, për të përfituar jo vetëm ata, por edhe për t’i dhënë qytetit frymëmarrje, gjallëri dhe mirëqënie.

Aktualisht kapaciteti hotelier i Pogradecit, si destinacion turistik është rreth 2000 shtretër, që do të thotë rreth 120000 netë shtretër vetëm gjatë dy muajve korrik e gusht, vetëm në hotele. Ndërkohë prej disa vitesh është riaktivizuar turizmi familjar.

Cili ka qenë kontributi i pushtetit qëndror me financime për qytetin turistik të Pogradecit, pasi përveç arritjeve të mësipërme, prej dy vitesh Pogradeci është mbase i vetmi qytet që nuk ka një unazë (e cila nuk funksionon) dhe përballet me një kaos, pasi makinat e rënda kalojnë nëpër qytet së bashku me veturat?
Qeveria qëndrore ka penguar me sa ka mundur zhvillimin e qytetit. Pas mosfinancimit të asnjë projekti në infrastrukturën e qytetit për 8 vite me rradhë, dobësoi vit pas viti financat lokale, duke na çuar në një situate, kur as shërbimet bazë nuk mund të financohen.

Prej vitesh punojmë mes vështirësish të mëdha dhe pa asnjë mundësi investimesh në infrastrukturë. Bëjmë maksimumin në bashkëpunim me komunitetin e biznesit dhe qytetarët, por edhe me donatorë vendas dhe të huaj, për të siguruar gjithçka i nevojitet qytetit.

Ka 8 vite me rradhë që kërkohet nga ana jonë, premtohet nga ana e qeveritarëve dhe asgjë nuk ndodh për rikonstruksionin e unazës së qytetit, që tashmë jo vetëm është e pakalueshme, por edhe që e ka kthyer qytetin në një tranzit mes për mes tij të çdo linje që lidh zonën e qarkut të Korçës dhe Doganën e Kapshticës me pjesën tjetër të Shqipërisë.

Ky trafik i rënduar kamionësh është jo vetëm shqetësues për qytetarët dhe pushuesit, por edhe po shkatërron infrastrukturën e brendëshme rrugore që nuk mund të përballojë kamionë me ngarkesë 20 deri 40 tonë.

Dy rrugët hyrëse në qytet, nga të dyja anët janë totalisht të shkatërruara, ndoshta më të shkatërruarat në Shqipëri, veçanërisht ajo hyrëse nga ana e Qafë-Thanës që vit pas viti shkatërrohet dhe që vit pas viti bëhet sikur punohet në çdo prag fushate elektorale.

Këtë vit, kjo rrugë është në gjendjen e saj më të keqe që ka qënë ndonjëherë dhe përveçse vështirëson maksimalisht qarkullimin e automjeteve, projekti që po realizohet ka betonizuar kilometra të tëra të bregut të liqenit dhe shumicën e plazheve më të bukura të zonës tashmë janë të papërdorshme.

Asnjë nga propozimet tona, gjatë hartimit të projektit, nuk është marrë në konsideratë, duke realizuar kështu një katastrofë që shkon kundër çdo investimi tjetër që është realizuar në mbrojtje të Liqenit të Ohrit.

Prej disa vitesh ju keni qënë ideatori për të patur një traget midis Ohrit, Pogradecit dhe Strugës, por për zvarritje burokratike midis dy qeverive, shqiptare dhe asaj maqedonase, ky projekt ende nuk ka filluar të funksionojë. A ka ndonjë shpresë?
Eshtë një projekt i mbetur në letër, megjithë insistimin e tre kryetarëve të Bashkive rrotull liqenit. Eshtë një projekt lehtësisht i realizueshëm, madje që duhej të ishte realizuar prej vitesh. Nga ana e tre Bashkive janë marë masat e nevojshme për krijimin e kushteve për ankorimin e trageteve, madje kemi shprehur edhe gadishmërinë për të subvencionuar në rast nevoje lëvizjen e tragetit.

Edhe bashkia e Pogradecit realizoi investimin për rikonstruksionin e molit të qytetit që në vitin 2005 dhe ky mol është gati për të pritur tragetin. Nevojitet që qeveritë qëndrore këtu dhe në Maqedoni të marrin masat për pikën policore dhe doganore në këtë mol.

Arsyeja pse kjo gjë zvarritet është burokratike, ndoshta mungesë angazhimi e ndoshta edhe arsye të tjera të fshehta ose që lidhen me interesa. Unë besoj, se pas datës 23 Qershor, ne do të shohim tragetin të lëvizë në trekëndëshin Pogradec-Strugë-Ohër, si një mundësi e shtuar për turistët e rajonit.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)