Muaji prill ka konfirmuar një rritje të fortë të vizitave në sitet kulturore në të gjithë vendin, duke treguar një interes në rritje si nga turistët vendas, ashtu edhe nga ata të huaj për trashëgiminë historike shqiptare.
Sipas të dhënave të publikuara nga drejtoritë rajonale të trashëgimisë kulturore dhe institucionet muzeore, kalatë dhe muzetë vijojnë të jenë ndër destinacionet më të kërkuara, me një fluks të shtuar vizitorësh gjatë muajit prill.
Në Shkodër, Kalaja e Rozafës mbetet një nga pikat më të vizituara, duke regjistruar rreth 17 mijë vizitorë vetëm gjatë muajin që lamë pas. Për periudhën janar-prill, kjo kala ka pritur mbi 33 mijë vizitorë, duke ruajtur pozicionin në krye të listës së atraksioneve kulturore.
Ndërkohë, edhe Kalaja e Gjirokastrës vazhdon të joshë vizitorët e huaj . Gjatë muajit prill ajo është vizituar nga 14,592 persona, ku bie në sy se pjesa më e madhe, rreth 72%, janë turistë të huaj, të ardhur nga mbi 40 vende të ndryshme të botës. Kjo, sipas DRTK-së reflekton një rritje të interesit ndërkombëtar për historinë dhe kulturën e qytetit të gurtë.
Rritje të ndjeshme ka shënuar edhe Muzeu Ikonografik “Onufri”, i cili gjatë muajit prill është vizituar nga 8761 persona. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo përfaqëson një rritje prej 59%.
Të dhënat tregojnë se turizmi kulturor po fiton gjithnjë e më shumë peshë në Shqipëri, duke u kthyer në një nga sektorët më të rëndësishëm për tërheqjen e vizitorëve dhe promovimin e trashëgimisë kombëtare.
Komente









