“Se janë burgosur, se janë akuzuar për gjenocid kundër Serbisë”. Kjo gafë e deputetit Tritan Shehu në Kuvend ka përplasur kreun e PD, Sali Berisha me deputetin socialist Ardit Bido.

Gjatë fjalës së tij për gjenocidin serb në Kosovë, Shehu tha se ish-krerët e UÇK-së janë të burgosur për gjenocid kundër Serbisë, por në fakt ndaj tyre rëndojnë dy akuza krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Kjo bëri që Ardit Bido të reagonte në Kuvend dhe e quajti të papranueshme deklaratën, duke thënë se liderëve të UÇK-së po u shtohet një akuzë e re që s’e kanë bërë as vetë serbët.

“Po dëgjojmë në seancë që liderët e UÇK-së që janë në një proces gjyqësor të padrejtë, qenkan të akuzuar për gjenocid ndaj Serbisë, po dëgjojmë një akuzë të re që se kanë bërë as serbët vetë dhe kjo është e papranueshme”, tha Bido.

Dhe këtu nis përplasja Berisha merr fjalën në Kuvend për t’iu përgjigjur Ardit Bidos, duke kujtuar se deputeti i PS iu referua një deklaratë të tij, kur tha se edhe nëse shqiptarët do kishin bërë gjenocid ndaj serbëve, do votonte pro një rezolute për ta dënuar. Nga foltorja, Berisha ngatërroi mbiemrin e deputetit socialist e duke e akuzuar si shpifës.

“Të trillojë dhe të shpifë, e turpshme për ty Ardit Biba, Bida si quhesh. Bido. Turp të kesh. Turp të të vijë, falsifikator. Këtu para jush unë thashë, se edhe sikur shqiptarët të kishin kryer kryer gjenocid kundër serbëve, kundër maqedonasve, sikur të kishin kryer, unë do e dënoja. Gjenocidin, vrasjen për çështje etnike, është krimi më i dënueshëm, më i shëmtuar.

Nuk thashë kurrë se ka ndodhur. Duhet të kesh fytyrën tënde që të transformosh brenda dy minutave një deklaratë. Nuk të them gjë më shumë se kaq. Por të dish një gjë, nuk ka ndodhur në historinë 32-vjeçare të këtij parlamenti një akt i tillë. Kanë ndodhur shumë akte, por të transformosh brenda minute deklaratën e tjetrit në të kundërt, e bën vetëm ti.  Ti qofsh”, tha Berisha.

Përgjigja nga deputeti i PS erdhi përmes një video nga rrjetet sociale, për shkak se ishte larguar nga seanca për një fatkeqësi familjare. O doktor prapw dole blof, shprehet Bido.

“O doktor po prapë dole blof, për shkak të një fatkeqësi familjare por nuk ta ktheva dot përgjigjen. Ndoshta mosha, por me gjasë ndër nuk të lejo të dëgjosh shehun ku flet se na paska një kauzë për gjenocid ndaj serbëve prej shqiptarëve të ngritur në Hagë. Nuk e dëgjove apo bëre sikur nuk dëgjohet, për të reaguar siç di të reagosh vetëm përmes shpifjes”, shprehet Bido.