Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se pozicioni politik i Serbisë nuk ka qenë “kurrë më i rëndë” dhe se është “komplikuar edhe më shumë” nga deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin. Ai nuk e specifikoi se cilave deklarata të Putinit iu referohet.
Pas një takimi me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, të enjten në Berlin, Vuçiç tha se situata në të cilën ndodhet Serbia, marrë parasysh krizën në Ukrainë, është “pothuajse e pamundur”.
“Në ditën e tretë të sulmit në Ukrainë, ne e kemi bërë të ditur pozicionin tonë strategjik. Serbia është në të njëjtin pozicion edhe në ditën e 71-të”, u tha Vuçiç gazetarëve.
Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka ndërmarrë sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Nga blloku evropian i kanë bërë disa herë thirrje që të harmonizojë politikën e saj të sanksioneve me atë të BE-së. Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë pritur të mërkurën në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Ky i fundit ka thënë se njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë pjesë e dialogut që zhvillojnë dy vendet për normalizimin e marrëdhënieve.
Scholz, po ashtu, ka thënë se përparimi në dialog është kyç për avancimin e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian.
Vuçiç përsëriti të enjten se Serbia është në rrugën evropiane, se nuk do të “kthehet diku tjetër” dhe se do të mbetet ushtarakisht neutrale.
Vuçiç tha se bisedimet që ka pasur me zyrtarët gjermanë, nuk kanë qenë të lehta.
“Gjermania është shteti më i fuqishëm evropian në çdo kuptim. Ne nuk mund të zgjedhim dhe ta ndryshojmë qëndrimin e saj për çështjen e Kosovës, sepse kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiç.
Ai, po ashtu, tha se biseda me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Berlin ka qenë “shumë e vështirë”, por nuk dha detaje.
Kurti dhe Vuçiç u pritën bashkë në një darkë joformale në Berlin, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak./REL
Kujt tja prishe Vucici tja prishe Vellait te Madh Putinit? Apo te bashkohet me NATO-n dhe ta pesoje si Ukraina
Përgjigju