BAGDAD- Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, ofroi sot ndihmën ushtarake të vendit të tij për Irakun për të luftuar kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik (ISIS), duke dëshmuar një afrim mes Ankarasë dhe Bagdadit.
"Davutoglu ofroi ndihmën ushtarake të Turqisë për Irakun", deklaroi shefi i qeverisë irakiane, Haidar al Abadi, gjatë një konference për shtyp të përbashkët në Bagdad.
Ai theksoi se kjo asistencë ka të bëjë me furnizimin me armë dhe stërvitje të anëtarëve të rojes kombëtare irakiane, që pritet të krijohet.
"Forcat vullnetare irakiane kanë nevojë për stërvitje, dhe ne mund të bisedojmë për stërvitjen e këtyre forcave në Turqinë fqinje", shtoi kryeministri irakien.
Vizita në Irak e kryeministrit turk vjen pas një vizite në Turqi e ministrit irakian të Punëve të Jashtme, Ibrahim al-Jaafari, në fillim të nëntorit, me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve mes Bagdadit dhe Ankarasë.
Vendimi i Turqisë për t'i blerë naftë rajoneve autonome të Kurdistanit irakian që Bagdadi e cilëson si shitje të jashtligjshme, nxiti edhe më shumë mosmarrëveshjet që ekzistonin mes dy vendeve.
Dy vendet kanë gjithashtu divergjenca mbi luftën në Siri. Iraku, vend me maxhorancë shiite, shihet si një aleat i presidentit sirian Bachar al Assad, përabllë rebelëve ku shumica janë sunitë. Turqia, sunite, mbështet rebelët sirianë që përpiqen të përmbysin presidentin Assad./ATSh/