Arrestohet në Ankara profesori 32-vjeçar nga Cërriku. Mariglen Debrova dhe bashkëshortja e tij, Naxhije Debrova, prindër të një vajze 2-vjeçare. 

Ata janë vënë në pranga disa ditë më parë, ndërsa mbetet mister fati i fëmijës. Lajmi ka tronditur familjarët të cilët janë të shqetësuar për çiftin dhe fëmijën. Mariglen Debrova jetonte prej 10 vjetësh së bashku me familjen e tij të re në Ankara. Burime për Report Tv bënë me dije se 32-vjeçari ishte duke vazhduar doktoraturën për teologji në qytetin Samsun pranë Ankarasë në Turqi. Ai ka mbaruar studimet në Egjipt dhe është transferuar në Turqi ku jetonte me familjen e tij prej shumë vitesh. Ndërsa bashkëshortja ishte mësuese e Fizikës.

Familja kërkon ndihmën e autoriteteve shqiptare, Ministrisë së Drejtësisë për të mësuar mbi arrestimin e tij dhe po kështu ndërhyrjen e tyre për të zgjidhur çështjen. Ata e cilësojnë të paligjshëm arrestimin e të riut dhe bashkëshortes së tij. Gjithashtu kërkohet ndërhyrja e menjëherëshme për fëmijën pasi ende nuk ka një informacion ku është vendosur dhe kush po kujdeset për të.

Sipas burimeve profesori është arrestuar nën akuzën si bashkëpunëtor i Gylenit, por kjo mbetet për tu provuar. Disa ditë më parë një tjetër profesor nga Cërriku u ndalua në Malajzi, por më pas u la i lirë. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com