Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Libisë, Mohammed Ali Ahmed al-Haddad, dhe katër zyrtarë të tjerë libianë kanë humbur jetën në një aksident ajror pranë kryeqytetit turk, Ankara. Këtë e bëri të ditur kryeministri libian, Abdul Hamid Dbeibeh.
Komunikimi me avionin që transportonte delegacionin libian humbi pak pas ngritjes nga Ankaraja. Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, bëri të ditur më pas se mbetjet e avionit u gjetën dy kilometra në jug të fshatit Kesikkavak, në rrethin Haymana, pranë Ankarasë. Ministri Yerlikaya shpjegoi në një postim në X se kontakti me avionin privat Falcon 50, me numër regjistrimi 9H-DFJ, u humb në orën 20:52, sipas orës lokale (18:52, ora italiane). Avioni kishte ngritur nga aeroporti i Ankarasë, Esenboga, dhe ishte nisur drejt Tripolit. Sipas ministrit, pak para se të humbiste nga radarët, kishte mbërritur një kërkesë për ulje emergjente pranë Haymana-s, por nuk ishte e mundur të ristabilizohej komunikimi. Në bord të avionit ndodheshin pesë persona.
Al-Haddad ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Libiane që nga shtatori i vitit 2020. I emëruar nga Fayez Al Serraj, ai ishte një nga figurat më të rëndësishme ushtarake të qeverisë së Tripolit. Ai kishte krijuar lidhje të gjera ushtarake, veçanërisht me Turqinë. Në gusht 2021 vizitoi një fregatë turke pranë bregdetit libian si pjesë e operacioneve detare turke.
Në mars 2023 nënshkroi një marrëveshje ushtarake me Italinë në Romë për trajnimet e forcave speciale libiane. Me SHBA-të, në korrik 2024, Al-Haddad u takua me udhëheqësit e Africom për të diskutuar mbështetjen ndaj bashkimit të ushtrisë libiane dhe forcimin e sigurisë së kufijve.
Komente







