Për Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, BE s’duhet të dështojë në formësimin e tranzicionit, nëse dëshiron të bëhet një aktor që mund të ndikojë në ngjarjet në Lindjen e Mesme ose Ukrainë.
I ftuar në një nga panelet e Forumit të Diplomacisë në Antalia, ai vuri theksin në përpjekjet e BE për t'u bërë aktor global.
“Kemi situata ku i shohim faktet nga këndvështrime të ndryshme. Kjo ka të bëjë me luftën e agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës dhe mënyrën se si ne, komuniteti ndërkombëtar i të gjithë ngjyrave vepron dhe po sillet ndaj saj. Situata në Gaza, ku sulmet e tmerrshme të Hamasit nuk u dënuan të paktën nga Palestina në fazën fillestare. Por në të njëjtën kohë, duhet të dënojmë dhe të ngremë zërin për situatën e rëndë humanitare që është atje.
Unë vij nga Ballkani Perëndimor, e cila ka prodhuar luftëra, konflikte, duke përfshirë fillimin e Luftës së Parë Botërore në Evropë. Gjakderdhja në Evropë, para luftës në Ukrainë, ishte pikërisht në pjesën tonë të botës. Ne jemi ende zona gri në stomakun e Evropës, siç do të thoshte kryeministri im, jemi rrethuar nga një kufi i Bashkimit Evropian, por ende nuk jemi të integruar, ende duke luftuar për të zhvilluar ato tre elementet që përmenda më parë demokracinë liberale bazuar në sundimin e ligjit, ekonomitë e tregut të lirë dhe synojmë më lart për lirinë dhe të drejtat themelore të njeriut”,- është shprehur Hasani.
Forumi Diplomatik i Antalias është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë dhe akademikë. Forumi i sivjetshëm do t’i zhvillojë punimet prej 1 deri më 3 mars.