Mbi 1 mijë qytetarë protestuan në Izmir të Turqisë, pasi kryebashkiaku Xhemil Tugaj vendosi t'i bashkohej Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
Vendimi i tij ka shkaktuar reagime të forta në Izmir, një qytet që prej afro 30 vitesh drejtohet nga opozita. Para nisjes së protestës, policia vendosi barriera në sheshet kryesore të qytetit, ndërsa në terren u dislokuan edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe të paktën katër automjete me ujë.
Protestuesit u mblodhën në sheshin Xhumhurijet, duke valëvitur flamuj turq dhe duke brohoritur: "Tugaj, jep dorëheqjen!"
Një pjesë e tyre zgjodhën edhe një formë simbolike proteste, duke mbajtur një arkivol të improvizuar me mbishkrimin "Politikisht i vdekur", në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të kryebashkiakut.
Izmiri, qyteti i tretë më i madh i Turqisë me rreth 4.5 milionë banorë, konsiderohet prej vitesh një bastion i opozitës. Kalimi i Tugajt në radhët e AKP-së shihet si një fitore simbolike për presidentin Erdogan.
Megjithatë, ndryshimi nuk i jep AKP-së kontrollin e Këshillit Bashkiak të Izmirit. Nga 184 anëtarë, partia opozitare Yeni ka 91 vende, AKP-ja 39 pas kalimit të Tugajt, ndërsa CHP-ja 35.
Kalimi i kryebashkiakut vjen në një periudhë tensionesh për opozitën turke. Sipas mediave turke, muajt e fundit disa kryebashkiakë të opozitës janë arrestuar, ndërsa të paktën 17 të tjerë janë larguar nga partitë opozitare për t'iu bashkuar AKP-së.
Xhemil Tugaj u zgjodh kryebashkiak i Izmirit në prill 2024. Në qershor të këtij viti ai u largua nga CHP-ja, duke deklaruar se do të vijonte si i pavarur, ndërsa tashmë është bërë pjesë e partisë së presidentit Erdogan. Kjo lëvizje ka nxitur protesta në qytet dhe kërkesa për dorëheqjen e tij.









Komente
Komento