TURQI - Një biznesmen turk që rezulton të jetë ortak me një biznesmen të naftës në Shqipëri është ekzekutuar në makinën e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:30 të së enjtes (20 dhjetor) në lagjen Bakirkej të Stambollit. Mësohet se 57-vjeçari Omer Satin është ekzekutuar në makinën e tij me pistoletë.

Biznesmeni, babai i 4 fëmijëve është plagosur rëndë me 3 plumba në gjoks dhe ka humbur jetën menjëherë, ndërsa autori i krimit ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes dhe nuk është vënë ende në pranga.

Një nga fqinjët e tij ka pohuar për median se Satin kishte 4-5 vite që ishte kthyer në Turqi. Mësohet se biznesmeni turk Omer Satin është ortak me një biznesmen në fushën e naftës në Shqipëri, ortakëri deri 40 për qind. Gjithashtu bëhet e ditur se prej kohësh kishte konflikte me ortakët e tij në Shqipëri dhe për këtë arsye kishin nisur edhe disa procese gjyqësore. Biznesmeni kishte pohuar se kishte probleme në aktivitetin e biznesit të tij, por “Hyrrijet” nuk saktëson në se problemet e tij ishin fokusuar në Shqipëri apo në Turqi.

Sipas mediave turke, Satin është telefonuar nga një miku i tij dhe ka dalë për të takuar këtë të fundit, duke thënë që  “do të takohem me një shok në lagjen Atakëj”.

Policia përmes thirrjeve në telefonin e tij ka identifikuar personin që ë ka telefonuar dhe mësohet se po atë natë telefonuesi anonim ka lënë Turqinë duke u larguar nëpërmjet aeroportit “Ataturk” duke përdorur identitet të rremë.

SATIN ISH ORTAK NE NJE KOMPANI NE PROCES FALIMENTIMI

Biznesmeni turk Omer Satin rezulton të jetë i regjistruar në dy kompani private në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve shqiptare. Për më shumë për bizneset e Satin në Shqipëri lexoni gazeta Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
Lajmi u publikua më 21 dhjetor, 2012  ora 21: 30 dhe u përditësua në 22 dhjetor 2012 ora 07:30
(eç/jd/shqiptarja.com)