Turqia intensifikon bombardimin në Siri, gati ndërhyrja tokësore
Pas bombardimeve të Turqisë në Siri ndaj grupeve terroriste, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan thotë se një operacion tokësor kundër forcave kurde ka filluar “de-facto” pas dy ditëve të bombardimeve.
Forcat e Armatosura Turke (TSK) njoftojnë se në kuadër të operacionit "Dega e Ullirit” avionët luftarak të TSK-së në shtatë rajone kanë neutralizuar 108 objektiva të përcaktuara të organizatës terroriste PKK/KCK/PYD-YPG dhe DEASH, të cilat përdoreshin si strehimore, bunkerë dhe depo të municioneve. TSK poashtu njofton se 72 avionë janë kthyer në siguri në bazat e tyre për t’u përgaditur në detyrat pasuese, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga TSK thuhet se, “Operacioni i 'Degës së Ullirit', i cili është nisur nga TSK në ora 17.00 (sipas orës lokale) me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe të stabilitetit në kufijtë e Turqisë dhe në rajon, për neutralizimin e terroristëve anëtarë të PKK/KCK/PYD-YPG dhe DEASH-it në rajonin e Afrinit, në veri-perëndim të Sirisë dhe për shpëtimin e popullit mik dhe vëllazëror të rajonit nga presionet dhe persekutimet e këtyre, po vazhdon ashtu siç është planifikuar".
Në deklaratë theksohet se operacioni po realizohet duke respektuar integritetin territorial të Sirisë, në kuadër të të drejtave të shtetit tonë të cilat rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare, vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për luftën kundër terrorizmit, sidomos ato me numër 1624 (2005), 2170 (2014) dhe 2178 (2014), si dhe 'e drejta e vetëmbrojtjes legjitime', e cila qëndron në nenin 51 të Konventës së OKB-së.
“Në fillim të operacionit forcat ajrore kanë neutralizuar 108 objektiva të përcaktuara në shtatë rajone, të cilat nga organizata terroriste PKK/KCK/PYD-YPG dhe DEASH përdoreshin si strehimore, bunkerë dhe depo të municioneve. 72 avionë të cilët morën pjesë në operacion janë kthyer në bazat e tyre në mënyrë të sigurt për t’u përgaditur në detyrat pasuese. Në planifikimin dhe realizimin e operacionit në objektiv po merren vetëm strehimoret, bunkerët, pozicionet, armët dhe pajisjet e terroristëve. Tregohet çdo lloj i ndjeshmërisë për të mos dëmtuar civilët e pafajshëm”, njofton më tej TSK.
Ndërkohë, Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, deklaroi se është gati operacioni tokësor kundër forcave kurde. Presidenti turk kërcënoi gjithashtu se do të godiste qytetin Manbij – rreth 100 km larg Afrin në një zonë tjetër kurde. Kursi YPG (Njësitë Mbrojtëse të Popullit Kurd të Sirisë) ka qenë një pjesë kyçe e betejës kundër grupit që e quan veten Shtet Islamik në Siri dhe është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.