Turqia, kërcënime për sulme të reja në Siri! Erdogan: Po humbim durimin

Turqia, kërcënime për sulme të reja në Siri! Erdogan: Po humbim durimin

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan

Turqia po kërcënon të nisë një operacion të ri ushtarak kundër forcave kurde në Siri, pas një sulmi vdekjeprurës në territorin sirian ku ndodhen forca turke. Ankaraja ka fajësuar grupin kurd YPG për sulmin vdekjeprurës të tetorit me makinë-bombë në rajonin sirian të Afrinit që kontrollohet nga Turqia.

"Ne jemi duke humbur durimin në disa zona të Sirisë që janë bërë burim sulmesh terroriste ndaj vendit tonë", tha Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Turqia po akuzon luftëtarët e grupit Njesia për Mbrojtjen e Popullit ose YPG për lidhje me separatistët kurdë, që luftojnë në territorin turk, një akuzë që ky grup e ka mohuar.

Presidenti Erdogan thotë se forcat turke dhe rebelët sirianë të mbështetur nga Turqia do të kërkojnë largimin e YPG-së nga qyteti strategjik Tell Rifaat. Ankaraja beson se kjo është pika e nisjes së sulmeve të grupit kurd kundër forcave turke në Siri.

Por forcat ruse kontrollojnë Tell Rifaatin, dhe hapësirën ajrore të këtij qyteti.

"Bashkëpunimi rus do të kishte një rëndësi të madhe sepse Rusia dominon hapësirën ajrore në këtë zonë. Duke marrë parasysh se zona e Tell Rifaatit nuk është afër kufirit turk, çdo operacion turk atje do të ishte shumë i vështirë pa miratimin rus", thotë Ozgur Unluhisarcikli nga Fondi George Marshall.

Ankaraja ka kërkuar prej kohësh të marrë kontrollin e Tell Rifaatit, pasi kjo do të lidhte tre zonat e Sirisë nën kontrollin ushtarak turk.

Por duke patur parasysh se ky qytet sirian është një qendër jetike transporti afër qytetit të dytë më të madh të Sirisë, Alepos, disa vëzhgues thonë se Moska nuk do t’ia jepte atë me lehtësi Ankarasë.

"Rusia do të kërkonte një çmim të lartë dhe për këtë do të bëhej një tregti e fortë, me shumë dhënie dhe marrje. Nëse Rusia mendon se do të marrë diçka të rëndësishme në këmbim kësaj zone, atëherë ajo do të mund ta shqyrtonte mundësinë e dorëzimit të saj tek turqit. Në fund, të mos harrojmë se dy nga tre operacionet turke në Siri u lehtësuan nga Rusia”, thotë studiuesi Galip Dalay nga organizata Chatham House.

Luftëtarët kurd të YPG-së mbështeten nga Shtetet e Bashkuara në luftën e tyre kundër grupit të Shtetit Islamik dhe çdo operacion turk kundër grupit kurd mund të tensionojë më tej marrëdhëniet tashmë të ndërlikuara midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Turqia pritet të organizojë zgjedhje presidenciale deri në vitin 2023 dhe ato mund të jenë një faktor i rëndësishëm në planet e Presidentit Erdogan.

"Kostoja diplomatike dhe reale e çdo operacioni të ri ushtarak në Siri do të mund të konsiderohej si e tepruar, ose ndoshta një histori e tillë do të nevojitet në këtë vit zgjedhor si një mjet propagande", thotë analisti Aydin Selcen nga portali i lajmeve “Duvar”.

Një sulm i forcave turke në Siri shihet si një mundësi reale nga analistët. Forcat turke kanë kryer tashmë tre operacione ushtarake në Siri, theksojnë vëzhguesit, duke shtuar se Presidenti Erdogan rrallë herë bënë kërcënime boshe./VOA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

A është Shqipëria një vend i ngrohtë për bashkëqytetarët me aftësi ndryshe?

A është Shqipëria një vend i ngrohtë për bashkëqytetarët me aftësi ndryshe?