Turqia ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në kuadër të procesit gjyqësor që lidhet me sulmin ndaj aktivistëve të Flotiljes Globale Sumud, të cilët po transportonin ndihma humanitare drejt Gazës.

Lajmin e bëri të ditur ministri turk i Drejtësisë, Akin Gurlek, i cili tha se çështja po shqyrtohet nga Gjykata e 11-të Penale e Lartë në Stamboll. Sipas tij, në dosjen gjyqësore janë gjithsej 35 të pandehur, mes tyre edhe Netanyahu dhe Moskovitch.

Gurlek bëri të ditur se më 14 korrik 2026 gjykata lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe Moskovitch me akuzën për gjenocid. Pas këtij vendimi, Ministria turke e Drejtësisë i kërkoi Ministrisë së Brendshme të nisë procedurat për një "Red Notice" të Interpolit, ndërsa dokumentacioni përkatës iu përcoll edhe Ministrisë së Jashtme.

Sipas autoriteteve turke, të pandehurit po gjykohen për ndërhyrjen e armatosur ndaj civilëve që po dërgonin ndihma humanitare në Gaza në ujëra ndërkombëtare, si edhe për ndalimin e aktivistëve.

Akuzat përfshijnë krime kundër njerëzimit, gjenocid, heqje të rëndë të paligjshme të lirisë, plagosje me dashje, torturë, dëmtim të pronës, grabitje të rëndë dhe rrëmbim të mjeteve të transportit.

Ministri turk i Drejtësisë deklaroi gjithashtu se Ankaraja nuk pranon që qeveria e Netanyahut të jetë e paprekshme nga përgjegjësia për politikat e saj në Gaza.

"Nuk do të lejojmë që krimet e kryera në Gaza të fshihen apo që përgjegjësit të mbrohen nga pandëshkueshmëria", tha Gurlek, duke shtuar se Turqia do të vazhdojë të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për të kërkuar përgjegjësi ndaj autorëve të krimeve kundër njerëzimit.

Lajmi në përditësim