TIRANË- Turqia ndalon udhëtimin me charter të pacientëve me COVID-19 që shkojnë për kurim në spitalet turke. Një vendim i tillë është marrë nga Ministria e Shëndetësisë, teksa nuk jep një afat, por thotë që urdhrit mbetet në fuqi deri kur të jepet një njoftim i dytë. Shkak është bërë ezaurimi i kapaciteteve spitalore në Turqi për shkak të numrit të lartë të pacientëve të shtruar në spitale. Në vendim theksohet se asnjë i sëmurë i huaj nuk do të pranohet, pavarësisht kombësisë.

"Sjellja e pacientëve pozitiv me COVID-19 në vendin tonë me aeroplan privat është e ndaluar deri në një urdhër të dytë. Në rast mosrepsektimi të këtij urdhri do të vendosen sanksione përkatëse", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil.

Në ditën e fundit janë regjistruar deri në 5-6 fluturime në ditë të pacientëve pozitiv me COVID që shkonin për kurim në Turqi. Kostoja e kurimit në këto spitale shkon në disa mijëra euro, që nis që nga avioni charter deri te kurimi ditor që përcaktohet nga gjendja shëndetësore e pacientit. Autoriteti i Aviacionit Civil në Turqi aplikonte një tarifë prej 18 mijë deri në 22 mijë dollarë për transportin e pacientëve në varësi nga distanca. Një vendim i tillë prek edhe shqiptarët. Turqia ka qenë 'destinacioni' i shumë VIP-ave të cilët kanë rezultuar pozitiv me COVID. Referuar shifrave të dhëna nga gazetari shqiptar, Marjon Gorica në një lidhje për Report Tv, rreth 50 shqiptarë të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova janë të shtruar në spitalet e Turqisë, megjithatë mendohet që kjo shifër të jetë më e lartë. 

Charter në Rinas duke marrë të infektuar me COVID për mjekim të specializuar jashtë Shqipërisë

Turqia është një nga vendet ku një pjesë e mirë e pacientëve në gjendje të rënduar dërgohen për një trajtim mjekësor të specializuar. Aktualisht në Turqi ndodhet deputeti Andi Përmeti, më herët ka qenë shefi i ORL tek spitali Francez Besim Boçi, myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari. Gjithashtu ka qenë deputeti i Enver Roshi, ndërkohë që pjesë e listës janë edhe një numër i konsiderueshëm biznesmenësh.