TIRANË – Turqia ka marrë përsipër të restaurojë katër xhami në Shqipëri, një prej të cilave, ajo e Kalasë së Prezës, do të përurohet në një moment të dytë, pasi ishte parashikuar të përurohej me vizitën e kryeministrit turk Erdogan, e cila u anulua për shkak të tragjedisë në një minierë ku humbën jetë qindra minatorë si pasojë e shpërthimit nga një defekt teknik.
 
Restaurimi i xhamisë së Kalasë së Prezës, realizuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim  dhe Koordinim ka zgjatur 2 vjet dhe është kryer nga firma turke me përvojë në restaurimin e objekteve te ngjashme, duke zbatuar ligjet shqiptare të restaurimit dhe mbikqyrur nga Instituti i Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë.

Ndërkohë punimet po vazhdojnë në 3 xhamitë e tjera që priten të përfundojnë brenda pak muajsh; ato janë xhamia e Nazireshës në Elbasan, xhamia e İljas Bej İmrahorit në Korçë dhe Xhamia e Plumbit në Berat.

Redaksia online
(ar.sh/Shqiptarja.com)