Nisi sot në orën 08.00 procesi zgjedhor presidencial dhe parlamentar në Turqi. Rreth 81 milionë banorë votojnë sot për presidentin dhe deputetët e rinj të parlamentit. Presidenti aktual Recep Tayip Erdogan, i cili po pretendon një tjetër mandat 5-vjeçar, gjendet përballë 5 kandidatëve të tjerë, por si kundërshtar kryesor konsiderohet Muharrem Ince, një ish-mësues fizike, i cili u propozua nga partia kryesore opozitare.
Presidenti i tanishëm Recep Tayyip Erdoğan është kandidat i përbashkët i Aleancës Popullore, e cila përbëhet nga Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti) dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP).
Erdogan ka shërbyer si president nga viti 2014 dhe është presidenti i parë turk i zgjedhur me votë popullore. Para kësaj, ai shërbeu si kryeministër nga viti 2003 deri në vitin 2014.
Në Zgjedhjet e 27-ta Parlamentare do të garojnë AK Parti, CHP, HDP, HÜDA PAR, Partia İYİ, MHP, Partia Saadet dhe Partia Vatan. Kandidatët e BBP-së do të garojnë nga listë e AK Partisë, kurse ata të DP-së nga lista e Partisë İYİ.
Në vend të 550 deputetëve, që ishte numri para miratimit të ndryshimeve kushtetuese me referendumin e vitit të kaluar, votuesit do të zgjedhin 600 deputetë.