TIRANE - Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim do të restaurojë të vetmen xhami të mbetur nga Perandoria Osmane në Shqipëri, atë të “Et’hem Beut’ të ndodhur në qendër të Tiranës.
 
Lajmi bëhet i ditur nga agjencia turke e lajmeve Anadolu.
 
Ishte zëvendskryeministri turk, Emrullah Isler ai që njoftoi rikostruksionin e xhamisë gjatë vizitës zyrtare që zhvilloi në Tiranë javën e kaluar, megjithëse lajmi nuk u bë i ditur për mediat shqiptare.
 
Profesor Birol Çetin, koordinator i TIKA -së në Shqipëri, tha se rikonstruksioni në xhaminë e Et'hem Beut , e vetmja e mbetur prej epokës osmane nga 20 xhami të tilla,  do të mund të zgjasë deri në dy vjet.
 
“Ne do të bëjmë një draft të projektit në fillim të Majit, pas të cilit do të nisim implementimin”, tha Çetin, duke shtuar se TIKA është duke restauruar 5 xhami që nga vitit i kaluar, dy prej të cilave kanë përfunduar dhe tre të tjerat do të finalizohen qershorin e këtij viti.
 
"Et’hem Beu me të vërtetë e ka dashur Stambollin, çka është reflektuar edhe në arkitekturën e xhamisë në Tiranë. Fillimisht ne do të rregullojmë të çarat në mure dhe më pas do të riparojmë reliket”, u shpreh Çetin, duke shtuar se përvec ruajtjes së antikitetit të xhamisë, qëllimi kryesor është ta bëjmë  xhaminë funksionale në mënyrë që adhuruesit të marrin pjesë dhe të kryejnë lutjet.
 
Në vitin 1967 gjatë kohës së komunizmit në Shqipëri, Enver Hoxha, sekretari i parë i partisë komuniste mbylli ose shkatërroi shumicën e xhamive dhe kishave dhe e shpalli Shqipërinë shtet laik. Megjithatë, Xhamia Ethem Beut mrekullisht i mbijetoi kohës.
 
Në vitin 1990 me fillimin e sundimit demokratik në Shqipëri, xhamia ishte sërish e hapur për adhuruesit. Nga ajo kohë, shumë xhami janë ndërtuar në vend, por Ethem Beu u la në “harresë”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)