ALPET ka mbajtur në treg çmime mbi mesataren, rreth 5-10 lekë për litër më shumë se kompanitë e tjera dhe pati rritje në xhiro sidomos gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës, si furnizues me karburante i Bechtel&Enka, që ndërtoi ”rrugën e kombit”. Në vitin 2010, kompania deklaoi një xhiro 75 milionë euro, sipas të dhënave nga Tatimet, duke u renditur e katërta nga shoqëritë e naftës, pas Europetrol, Kastrati dhe Taçi Oil.
Kush është Apostol Goci
I lidhur politikisht me minoritetin grek, të cilit i përket, Apostol Goci është dalluar në mjedisin e biznesit edhe për lidhje sponsorizimi me klubin sportiv Dinamo. Goci ka qenë kandidat i koalicionit të majtë në Kukës, megjithëse orjigjina e tij është nga Jugu.
Në intervistën e dhënë për gazetën Tema në vitin 2009 Goci deklaroi është një bisnesmen i tipit të ri, që nuk ka lidhje me ideologjitë e së kaluarës. Më poshtë pjesë të kësaj interviste publikuar në qershor të vitit 2009:
Zoti Goci, jeni kandidat për deputet në qarkun e Kukësit si pjesë e koalicionit të majtë, ndërkohë që sapo keni botuar një libër biografik për një disident që keni mbajtur në shtëpinë tuaj gjatë komunizmit? Si shpjegohet ky kapërcim?
Unë i përkas brezit të parë të biznesmenëve të demokracisë në Shqipëri dhe kam kohë që i kam fshirë nga mendja ndarjet ideologjike. Unë nuk kam pyetur për komunizmin gjatë regjimit komunist dhe kam mbajtur në shtëpi për vite të tëra Muhamet Hoxhën, i cili ishte realisht një agjent i CIA-s, i hedhur si diversant në Shqipëri. Libri që ju keni në dorë e dëshmon qartë këtë. Për këtë arsye as që më shkon në mendje të mendoj se çfarë ndarjeje mund të sjellë e majta apo e djathta në Kukës. Kam kandiduar këtu, pasi më kërkuan shumë bashkëpunëtorë të mi në biznes nga Kukësi. Unë kam bizneset e mia këtu, dhe do t’i zhvilloj edhe më shumë duke nxitur punësimin, pasi të bëhem deputet.
Si ju kanë pritur në qarkun e Kukësit?
Ndjehem si në shtëpinë time. Bashkëpunëtorët e mi në biznes më kanë takuar me qindra- mijëra njerëz. Ajo që konstatoj në Kukës dhe në Has është varfëria. Është e turpshme të flasësh lart e poshtë në emër të veriut, dhe ta lësh veriun në skamje të plotë. Nuk kam parë fshatarë më të varfër se në Has, një zonë e persekutuar nga regjimi komunist, që po vuan ende sot në “regjimin” demokratik.
Është kollaj të krekosesh si gjel në Tiranë dhe të thuash, jam kuksian, por e ke të vështirë të vish në Kukës e t’i shikosh në sy bashkëfshatarët e tu të varfër, që të mbajnë mend, dhe kur ke ngrënë bukë misri, dhe kur ke pasur pantallonat me arna. Zengjinët e rinj, që flasin në emër të Kukësit në Tiranë, nuk i kanë vënë paratë me djersë, por me abuzime në emër të pushtetit. Unë dua t’i ndihmoj njerëzit e kësaj zone të kenë punën e tyre, dinjitetin e tyre dhe jo të bëhen njerëz qesharakë, duke iu servilosur pushtetit.
Kandidati i PD, Flamur Noka, ju ka sulmuar në një takim duke ju akuzuar se ju, biznesmenët e naftës, jeni trafikantë? Cili është komenti juaj?
Ne jemi biznesmenë të mëdhenj dhe s’do ishim bërë të mëdhenj, nëse do ishim trafikantë. Nëse Flamuri pranon që ka shtet ligjor dhe ka luftuar korrupsionin, nuk besoj se do më kishte falur mua dhe kolegët e mi. I vetmi korrupsion që kam bërë në jetë dhe që tani s’ia fal vetes, është që i kam pas dhënë tollona nafte falas këtij Flamurit, kur më vinte te kompania në Tiranë dhe hiqej si fukara. Për këtë kërkoj ndjesë. Për të tjerat nuk ka se çfarë të sqarojë njeriu me Flamurin.
(gk/im/shqiptarja.com)