TIRANE- Një koncesion i ri në sektorin e tatimeve u bë dje publik nga qeveria, vetëm dy muaj pasi Ministria e Financave hodhi poshtë zërat se planifikonte një marrëveshje koncesionare për “mbledhjen dhe administrimin e të ardhurave nga TVSH-ja”. Në atë kohë Ministria pranoi se i kishte ardhur një propozim i tillë nga një kompani e huaj, por se nuk u mor parasysh pasi binte ndesh me sistemin aktual të mbledhjes së taksave në Shqipëri dhe se ishte i papërshtatshëm. E megjithatë, gjatë prezantimit të djeshëm të projektit të dhënies me koncesion të sistemit elektronik të tatimeve, Ministria pranoi se për bazë qe marrë pikërisht propozimi i kësaj kompanie me seli në Hong Kong.