TIRANË - Misioni i nëntorit 2015 i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, vlerëson se arritja e një niveli të borxhit publik sa 72.6 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit përbën një rrezik të lartë. FMN ka klasifikuar si pesë rreziqet kryesore fiskale: llogaritë e paqarta të investimeve publike, kompensimin e ish/pronarëve, grumbullimin e ulët të të ardhurave, reformën e qeverisjes lokale dhe rrezikun e rikrijimit rishtaz të detyrimeve të prapambetura. Në rishikimin e pestë dhe të gjashtë të Marrëveshjes me Shqipërinë, Fondi i ka dhëne edhe sugjerimet përkatëse për minimizimin e rreziqeve.

Koncesionet
Teksa vala e koncesioneve ka përfshirë të gjithë sektorët, duke u shtrirë edhe në menaxhimin e infrastrukturës edhe shërbimeve në shëndetësi, qeveria ende nuk i ka të qarta detyrimet që do të paguajë ndaj tyre, sipas raportit të ekspertëve të FMN. Por, angazhimet për projektet ekzistuese të infrastrukturës po vazhdojnë të tejkalojnë mundësinë për financim të qeverise në kuadrin afatmesëm.

Autoritetet janë angazhuar për të trajtuar partneritetet publike-private për projektet e infrastrukturës, shpjegon Fondi. Në një raport tjetër të kohëve të fundit për Transparencën Fiskale FMN i ka vlerësuar koncesionet si një nga rreziqet më të mëdha fiskale, duke pohuar se të tashmë 55 partneritetet Publike dhe Private tashmë zënë 7 për qind të PBB dhe të tjera janë përfshirë në proces.

Por, këtë herë, misioni është ndalur edhe në rrezikun që mund të vijë nga koncesioni i TVSH-së. Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka sugjeruar qeverisë shqiptare në rishikimin e pesë dhe të gjashtë të Marrëveshjes me Shqipërinë që të analizojë në mënyrë të hollësishme kostot dhe përfitimet e koncesionit të administrimit të TVSH para se të nisë tenderi. “Lidhur me dhenien e një PPP (Partneritet Publik–Privat) për sistemin e TVSH, ne do të ndërmarrim një analizë të vlerës përpara se të hapet tenderi dhe çdo vendim në lidhje më të do të merret në konsultim me FMN-në”.

Për të kufizuar rreziqet fiskale nga PPP-të, Fondi ka rekomanduar të ndiqen praktikat më të mira ndërkombëtare dhe se kostot e tyre të trajtohen në mënyrë transparente në llogaritë fiskale dhe statistikat e borxhit. “Në vitin 2016 do të aktivizohet një regjistër publik për të gjitha projektet aktive PPP dhe do të botohen përmbledhjet e të gjitha kontratave PPP si dhe kontratat, duke përjashtuar ato konfidenciale ose të mbrojtura” thuhet në marrëveshjen mes palëve.

Qëndrimi
Ndërkohë, edhe shefja e programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Anita Tuladhar, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës dje se, ndonëse mekanizmi i Partneritetit Publik-Privat sjell mundësi për financime dhe ekspertizën e sektorit privat, autoritetet duhet të kushtojnë më shumë vëmendje, në parashikimin e rreziqeve që sjellin kontratave të tilla.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)