Receta e parë: Paella me bullgur

Përbërësit:

4 lgj vaj ulliri

½ qepë e kuqe

6 thelpinj hudhër

1 tufë majdanoz

1 spec pikant

2 gjethe dafine

150 gr sallam viçi

2 speca të pjekur turshi

1 lgj piper i kuq

Pak shafran

Kripë dhe piper i zi

60 gr pure domate

1 gotë bullgur

80 ml verë të bardhë

2 gota lëng perimesh i nxehtë

1 peshk të filetuar (levrek)

250 gr karkaleca

250 gr kallamarë

300 gr midhje

100 gr bizele

Majdanoz për servirje

Përgatitja:

Vendosim tiganin në zjarr dhe shtojmë në të vajin e ullirit. Me tu ngrohur vaji shtojmë menjëherë qepën e prerë në fije, hudhrat e copëtuara, specin pikant të orerë në unaza, dafinën, sallamin e prerë në feta të holla, majdanozin e grirë hollë. Të gjithë këto përbërës i kaurdisim mirë për 3-4 minuta duke shtuar më pas 1 lugë gjelle piper të kuq( të ëmbël), pak shafran dhe vazhdojmë përzierjen që aromat të shpërbëhen mirë. Shtojmë pak kripë, piper të zi. Presim specat e pjekur në copa për së gjeri me trashësi 1 cm dhe i shtojmë në tigan. Vazhdojmë përzierjen duke shtuar purenë e domates, 1 gotë bullgur të trashë dhe i përziejmë të gjithë përbërësit duke i shuar me verë të bardhë. Shtojmë lëngun e perimeve, vendosim copat e peshkut të filetuar, karkalecat, kallamarët e më pas vendosim midhjet. E rregullojmë përsëri për kripë e piper. Vendosim kapakun dhe i lëmë të ziejnë në temperaturë mesatare për 15 minuta, pas 10 minutash. Shtojmë bizelet, i trazojmë lehtë dhe i lëmë 15 minuta të pushojnë. Më pas shërbejmë paellën të ngrohtë duke e spërkatur atë në pjatë me pak majdanoz.

Paella me bullgur

Receta e dytë: Pite e shpejtë në tigan

Përbërësit:

150 gr djath i bardhë

1 tufë majdanoz

 1 tufë kopër

1 gotë qumësht

50 ml vaj

 1 kokërr vezë

 Kripë dhe piper i zi

Piper i kuq

4 petë tortilla

1 lgj gjalp

Përgatitja:

Fillimisht rrahim vezën me vajin, qumështin, me kripë, piper të zi dhe piper të kuq. Të gjithë këta përbërës i përziejmë mirë në një tas derisa të formohet një masë homogjene në trajtën e një salce.

Grijmë vrazhdë majdanozin, koperën dhe i trazojmë në një tas me djathin e bardhë të thërrmuar. Lyejmë mirë me gjalpë të pa shkrirë një tigan. Vendosim në të një petë tortilla. E leyjmë petën me 2-3 lugë nga masa e përgatitur me vezë dhe qumësht. Vendosim mbi të një petë tjetër dhe bëjmë përsëri lyerjen me vezë dhe qumësht. Më pas shpërndajmë në të gjithë sipërfaqen e petës djathin e trazuar me erëzat. Vendosim petën e tretë, e lyejmë me qumësht dhe vezë. Vendosim në fund petën e katërt duke e lyer përseri me qumësht dhe vezë. E lemë piten me 4 petë të pushojë për 10-15 minuta dhe më pas e vendosim të piqet në sobë në temperaturë mesatare  duke i vendosur kapakun tiganit. Pasi e shikojmë që është pjekur nga poshtë e kthejmë nga ana tjetër dhe vazhdojmë pjekjen duke vendosur përsëri kapakun.

Pasi të jetë pjekur mirë nga të dy anët e vendosim piten në dërrasën e punës dhe e presim në 4 ose 8 pjesë dhe e shërbejmë me një gotë kos ose dhallë.

Pite e shpejtë në tigan