Programi Kombëtar i Praktikave të Punës po jep rezultat konkret edhe për të rinjtë që duan të hyjnë në tregun e punës, jo vetëm në administratë, por edhe në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë si bujqësia dhe zhvillimi rural.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale historinë e Havjola Rustemit, një 24-vjeçareje që, pas përfundimit të praktikës 3-mujore në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ka siguruar një kontratë 1-vjeçare pune pranë këtij institucioni.

E diplomuar në Bioteknologji Molekulare dhe Industriale, Havjola e konsideron këtë eksperiencë si hapin e parë serioz në karrierën e saj profesionale. Ajo thotë se aplikimi në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës i hapi një derë të rëndësishme dhe se tashmë ndjen edhe më shumë përgjegjësi, pasi punon në një fushë delikate si siguria ushqimore.

“Jam shumë e gëzuar për mundësinë që më është dhënë. Patjetër që kjo shton edhe përgjegjësinë time, duke qenë se punoj në një sektor kaq të rëndësishëm si ai i sigurisë ushqimore. Ftoj të gjithë studentët t’u bashkohen thirrjeve të tjera për rritjen e tyre profesionale”, shprehet ajo.

Edhe Rama e ka cilësuar rastin e saj si një model suksesi për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierë në sektorë kyç të ekonomisë.

“Kjo është Havjola, e cila, pas praktikës 3-mujore në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë dhe falë performancës së saj pozitive, ka fituar një kontratë 1-vjeçare përmes thirrjes së 10-të të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, duke vijuar kështu angazhimin në sektorin e shëndetit dhe mbrojtjes së bimëve”, shkruan Rama.

Rasti i saj veçohet si një tjetër shembull se si programi po kthehet në një urë konkrete mes universitetit dhe tregut të punës për të rinjtë në vend.

 

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 20 Mars, 13:11

    Qeveria rikthen Bordin për naftën, a besoni se do mbahen çmimet nën kontroll?