Një vatër e madhe zjarri vijon të mbetet aktive pranë Urës së Milotit, ku djegia e mbetjeve ka nisur që në orët e paradites dhe vazhdon ende gjatë natës. Një grumbull mbetjesh plastike, kryesisht goma dhe materiale të tjera të hedhura nga servise dhe banorë të zonës së Kurbinit, po digjet në mënyrë të qëllimshme, ndërsa era ka favorizuar përhapjen e flakëve.

Djegia e vazhdueshme ka shkaktuar ndotje të konsiderueshme të ajrit, duke krijuar shqetësim për banorët dhe drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë përgjatë aksit LezhëMilot. Shtëllungat e dendura të tymit kanë mbuluar zonën, përfshirë edhe rrugën kombëtare, duke ulur ndjeshëm shikueshmërinë dhe duke rritur rrezikun për aksidente gjatë ditës.

Rasti pranë brigjeve të lumit Mat është një tjetër dëshmi se ndotja e mjedisit mbetet problem serioz në zonën mes Lezhës dhe Kurbinit. Pavarësisht shtimit të kontrolleve nga autoritetet, raste të tilla vijojnë të evidentohen. Vetëm dy ditë më parë, Policia e Shtetit procedoi penalisht dy shtetas të kapur në flagrancë duke djegur kabllo në këtë zonë.