Lezhë - Një 22-vjeçar i shpallur në kërkim ka rënë në prangat e policisë së Lezhës. Në gusht të 2023-it i riu Gabriel Marku, në bashkëpunim me të vëllanë plagosën rëndë me armë zjarri një person, Dorjan Gjini.

Sipas njoftimit të policisë Marku u kap nga blutë në Shëngjin, teksa konflikti i të rinjve erdhi pas një xhirimi të gomave të makinës.

Autori dhe i plagosuri po bënin xhiro me makina në aerodromin e Gjadrit, ndërsa nuk njiheshin më njëri tjetrin. Pas një debati mes tyre të rinjtë u përplasën fizikisht me njëri tjetrin dhe në ato momente Gabriel Marku nxori armën e zjarrit që mbante me vetë, duke qëlluar me një plumb në këmbë Dorjan Gjini nga fshati Balldre i Lezhës.

“Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim për krim kundër personit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetje Operacionale dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kapën në Shëngjin, shtetasin e akuzuar, G. M., 22 vjeç, banues në fshatin Ishull Shëngjin.

22-vjeçari ishte në kërkim pasi Gjykata e Lezhës, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Nga veprimet hetimore dyshohet se në muajin gusht, 2023, në fshatin Gjadër, i ndaluari ka bashkëpunuar me vëllanë e tij, shtetasin E. M. (të arrestuar në muajin nëntor, 2023), për plagosjen e rëndë, me armë zjarri, të shtetasit D. Gj”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë