Xhavit Haliti, vëlla, i di punët. Mirë e tha njëri: Vendimi merret shumë shpejt dhe dihet çka shkruan në të. Por, nuk donim ta besonim. E patë edhe vetë. Kushtetuesja sërish na befasoi. Dikush si Haliti me shokë mund ta ketë ditur në favor të kujt ”Baba” do ta ndajë “davanë”, por duhet ta pranojmë, së paku askush nuk ka mundur të presë ekspeditivitetin që tregoi Kushtetuesja.

Derisa qanim hallin për zvarritjen e pritshme të zgjidhjes së ngërçit politik të vendit në “pat pozicion” pasi, mendonim ne, Kushtetueses, gjykata më serioze, si niveli më i lartë i drejtësisë, do t’i duhej kohë të shqyrtojë materialet e parashtruara me shkrim nga dy blloqet politike dhe prezantimet në seancën dëgjimore të ballafaqimit një ditë më parë, konsiderohej sukses nëse vendimi shpallej brenda muajit.

Megjithatë, e patë edhe vetë. Kushtetuesja dje na la pa tekst. Kur askush s’e priste, të nesërmen e seancës dëgjimore, shpalli vendimin në rastin KO119/14, në lidhje me kërkesën e 30 deputetëve të PDK-së për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në seancën konstituive të datës 17 korrik 2014.
Se çka dhe në favor të cilës palë në të vërtetë vendosi Kushtetuesja, edhe pas leximeve me kompetencë nga “ekspertë kujdestarë” një tymnajë megjithatë mbetet.

E shfronësoi Isa Mustafën e dy nënkryetarët e Kuvendit por vetëm duke kontestuar procedurën e zgjedhjes së tyre në mbledhjen e 17 korrikut, kur kryesuesja e mbledhjes, deputetja më e moçme që rastisi të ishte nga PDK-ja, pezulloi seancën konstituive për mungesë të kuorumit pasi paraprakisht bashkëpartiakët e saj ia krijuan këtë mundësi duke braktisur sallën.


Edhe pse kuorumi ndërkohë u sigurua me shumicën e deputetëve në sallë dhe mbledhja vazhdoi me kryesuesen e re të Kuvendit që pastaj me shumicë votash zgjodhi kryetarin dhe dy nënkryetarët, krejt kjo, sipas vendimit të djeshëm është jokushtetuese proceduralisht dhe përmbajtësisht pasi, veni re, siç thuhet shprehimisht, “nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi kryetarin e Kuvendit andaj rrjedhimisht, është i pavlefshëm”. Pra, jo për tjetër por për faktin se propozimi nuk kishte ardhur nga grupi më i madh parlamentar.

Varësisht si kush e lexon formulimin, Gjykata Kushtetuese, në të vërtetë, me këtë do të thotë se mbledhja konstituive e Kuvendit duhet të përsëritet. Dhe së pari, si në rastin e mandatarit për qeverinë, partia apo koalicioni me më shumë vota në zgjedhje, në këtë rast PDK-ja ta ketë të drejtën ta propozojë kandidatin për kryeparlamentar, e pastaj nëse kandidati i saj s’i merr votat, e drejta t’i jepet koalicionit tjetër, bllokut LDK- AAK- Nisma.

Kushtetuesja, në të vërtetë ofron zgjidhjen që PDK-ja e bllokoi me braktisjen e sallës kur Agim Aliu, kandidati i saj për kryetar Kuvendi fitoi vetëm 37 votat e bashkëpartiakëve të tij.

Sipas Kushtetueses, do të thotë mbledhja konstituive do të përsëritet sepse zgjidhje tjetër nuk ka. Në të vërtetë, procedurat e aplikueshme për funksionimin e Kuvendit nuk kanë paraparë zgjidhje për situatat si kjo, kur Kuvendi mund të gjendej i bllokuar si tani, sepse formulimi që të drejtën për kandidimin e kryetarit të Kuvendit ia jep partisë apo koalicionit më të madh nuk e qartëson nëse kandidimin e dytë e jep i njëjti subjekt apo subjekti tjetër më i madh parlamentar.

Nëse kjo është zgjidhja që ofron Kushtetuesja ngërçit politik po i vjen fundi.

Nëse Blloku qëndron unik, nëse PDK-ja këto ditë nuk ka arritur të blejë ndonjë “mercenar”, rezultati dihet. Në të kundërtën, Hashimit i qoftë për hair edhe mandati i tretë. Edhe pse jo vetëm për Hashën e kamarilën e tij, do vite në opozitë do të ishin të shëndetshme. Sidomos për Kosovën e kapur për fyti, që më në fund do të merrte pak frymë.