Diçka që, jo shumë moti, as që do të vërehej, tani u bë lajm. Madje “Top lajm”.

Diçka që për shqiptarët e njohur me tolerancën fetare, që atë e kanë dhe e mbajnë si vlerë kulmore të kombit “me tri fe por me një atdhe”, tash bëhet ngjarje, që zgjon opinionin.

Ngjarje që vjen si një shkëndijë drite në tymnajën e madhe të krijuar si tinëzisht nga do biçim polemikash të përhapura kryesisht në rrjetet sociale, jo aq për fenë sa për ekstremizmat fetarë, për “mjekroshët”, që ligjin e drejtësinë nuk po mjaftohen ta zbatojnë mbi ne, por kanë arritur deri në Siri, por edhe gjoja ekstremizmin katolik, ka ardhur dje lajmi për ndërtimin e një kishe në Derven të rrethit të Krujës.

Jo pse kisha të tilla të vogla nuk ndërtohen edhe tjetërkund, por ajo që lajmin e bëri lajm, është fakti se ndërtimi i kishës është bërë edhe me kontributin e familjeve myslimane të këtij fshati dhe të pesë fshatrave tjera, kryesisht të besimit mysliman.

Të gjithë së bashku, katolikë e myslimanë kanë ndihmuar financiarisht apo me punë vullnetare për ndërtimin e kishës së Shënkollit. Kishës që, siç u tha, po ringrihet për herë të tretë, pasi dy herë më parë ishte rrafshuar gjatë luftërave dhe të tretën, në periudhën e komunizmit, me atë vendimin për rrënimin e objekteve fetare.

Si në do kohë të moçme kur të përmendësh vetëm një fjalë sadopak përçarëse, ishte gati blasfemi sepse bashkëjetesa ishte diçka e mirëqenë dhe e nënkuptueshme në mjediset e përziera fetarisht, Dervinasit vetëm bënë atë që është më e natyrshmja, pasi aty, siç shprehen, nuk ka ekzistuar asnjëherë dallimi fetar mes myslimanëve dhe katolikëve.

Pa dallim feje, vullnetarisht kanë ndërtuar Kishën duke dëshmuar solidaritetin vëllazëror, human e fetar, tipar i veçantë për shqiptarët.

Drvinasit, si shumica e shqiptarëve, sidomos në mjediset me diversitet fetar, gjithmonë kanë qenë të pandarë, në festa e hidhërime, myslimanë e katolikë deri sa tash së voni, çuditërisht, mbinë do farë predikuesish të fesë “origjinale” dhe duke u kthyer edhe me veshje e dukje shekuj më parë, në kohën e lindjes së fesë, manifestojnë intolerancë deri në urrejtje ndaj atyre që nuk u binden, që nuk pranojnë të bëhen beduinët e Ballkanit.

Dervinasit dje vetëm vërtetuan traditën shkodrane në raste të tilla. Para gati një shekulli e gjysmë Katedralja e Shkodrës edhe Xhamia e Madhe u ndërtuan me kontributin e myslimanëve dhe katolikëve shkodranë.

Ata dje vetëm përkujtuan traditën që shkon përtej tolerancës deri te rrënjët e përbashkëta. Një shembull i mirë, kuptohet, për ata që nuk vuajnë nga amnezia, që nuk i ka lëshuar kujtesa për atë se kush ishin dhe kush janë. Ata që nuk janë shkëputur nga rrënjët. Ata që nuk pranojnë të bëhen trup pa rrënjë dhe pa formë në këto hapësira ballkanike.
Trup të cilin kushdo që kalon këndej pari mund ta rrokullisë kah të dojë.

Lajmi për kishën e ndërtuar bashkërisht, megjithatë, nuk është edhe aq lajm i mirë. Sepse për të qenë lajm i mirë, do të kishte kaluar heshtas. Pa u vërejtur. Si diçka normale. E nënkuptueshme.