Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët do të protestojnë nesër që provimet t’i bëjnë në gjuhën shqipe.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Haradinaj shkruan se gjuha shqipe në RMV nuk është opsionale, por është gjuhë autoktone.
Ai thekson gjithashtu se studentët shqiptarë sot nuk po kërkojnë privilegje, por po kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre.
Mes të tjerash Haradinaj shkruan se gjuha shqipe ka mbijetuar brez pas brezi dhe nuk kanë mundur ta ndalin dot as kralat e as sulltanët.
“Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale. Është gjuhë autoktone, gjuhë e këtij trualli, që nuk kanë mundur ta ndalin as kralat e as sulltanët. Ajo ka mbijetuar brez pas brezi, në familje, në shkolla, në këngë e në sakrifica.
Shqipja është e garantuar me Kushtetutë dhe me të drejtën e patjetërsueshme të çdo shqiptari për të folur shqip në vendin e vet, për të studiuar shqip, për të shkruar, menduar dhe për të marrë frymë shqip pa frikë e pa kompromis.
Studentët shqiptarë sot nuk po kërkojnë privilegje, po kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre.
Me zemër, me shpirt dhe me krenari jam me ju nesër, studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Zëri juaj është zëri i çdo shqiptari që nuk pranon të heshtë përballë padrejtësisë”, shkruan Haradinaj.
Lajmi kryesor:
'Të gjithë njëzëri', studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestojnë nesër për gjuhën shqipe dhe të drejtat kushtetuese









