Gjykata e Durrësit ka lënë të lirë pronarin e ish-bar Barons, Artur Tereziu i cili fillimisht u akuzua se ndërhyri në kolonat e pallatit. Ai është lënë në masën e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa iu hoq akuza e rëndë e shkaktimit të vdekjes, dhe tashmë do të hetohet për falsifikim dokumentesh dhe ndërtim pa leje.

Terziu kishte ndërtuar lokalin "Barons", në katin e parë të një pallati që ndodhej  në vendin e njohur si "Dy Gjelat" në lagjen nr 6 në Durrës. Ky pallat u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit, duke u marrë jetën dy banorëve.

Terziu u vetëdorëzua 8 muaj pas ngjarjes, ndërsa një ditë më parë doli në gjykatë për rivlerësim të masës së sigurisë. Pronari i Barons tashmë akuzohet për ndërtim të paligjshëm si dhe për falsifikimin e projektit. Në bazë të kësaj akuze të re, gjyqtari Paulin Çera vendosi ndryshimin e masës nga arrest me burg në detyrim paraqitje.

Burime nga organi i akuzës bënë me dije se ekspertiza që ju  bë ngjarjes si dhe kampionët e marrë në rrënojat e pallatit nxorën shkaktarë për shembjen e pallatit  cilësinë e dobët të betonit të kolonave.

Pra, sipas ekspertizës shkak për shembjen e pallatit ka qenë cilësia e dobët e betonit dhe jo ndërhyrja në katin e parë për ta përshtatur në lokal. Tani Terziu do të hetohet vetëm për falsifikim dhe ndërtim pa leje. Ekspertët kanë konstatuar se pallati ishte ngritur mbi kolona dhe nuk ka pasur mure mbrojtës. Prokurorët e kanë apeluar masën e dhënë nga gjyqtari Cera, duke kërkuar burg për Tereziun.

Po kështu gjyqtari vendosi si masë sigurie detyrim paraqitje ndaj Arben e Dëshira Qatos,burrë e grua,pronarë të hotelit "Vila Palma" tek Shkëmbi i Kavajë i cili u shemb nga tërmeti duke i marrë jeten babait të Arbenit. Cifti Qato nuk ndodheshin në sallën e gjyqit pasi janë shtruar në spital.

Pikerisht gjendja jo e mirë shëndetësore ka qenë argumenti i gjyqtarit për ti lënë ata në masën detyrim paraqitje. Pronarët e "Vila Palma" akuzohen për shkelje të projektit, pasi kishin shtuar kate pa leje në objektin që u shemb. Prokuroria ka vendosur gjithashtu të apelojë vendimin për Arben Qaton.