SHKODËR - Kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani reagoi pas akuzave të PD-së se ka qenë i dënuar në Itali me një emër tjetër të ndryshuar, teksa paralajmëroi se do të padisë sekretarin e Përgjithshëm të PD Gazment Bardhi për shpije. Në një komunikim me gazetarët, Babani tha se nuk ka ndryshuar asnjëherë në jetën e tij emrin, dhe se nuk është dnaluar apo dënuar në asnjë rast. Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, sqaroi edhe një herë para mediave se të vetmet ndryshime janë mbiemri i tij të cilin familja e ka ndryshuar nga Babaj në Babani.
Ndërkohë që risolli edhe një herë në vëmendje faktin që ka lindur në 24 dhjetor 1966 dhe është regjistruar në 1 janar 1967. Babani tha se i ka shënuar në formularin e vetëdeklarimit të gjithë këto ndryshime, dhe shtoi se kjo është baltë politike që po hidhet ndaj tij. PD publikoi sot një dokument sipas të cilit Sajmir Marq Babani i datëlindjes 11/06 1997 ishte arrestuar në 4 prill 1994 në Sicili për vjedhje të makinave. Babani sqaroi në deklaratën e tij për mediat se nga janari i '94-ës deri në 27-10- 1994 ka punuar në hotel.
I pyetur nëse kryeministri Edi Rama apo Partia Socialiste i kanë kërkuar informacion pas akuzave të PD-së, Babani theksoi se diçka e tillë nuk ka ndodhur. “Ky është një vetëdeklarim i imi. As zoti Rama dhe as PS nuk e dinë se çfarë kam bërë unë gjithë jetën time”, tha ai.
"Në fillim thanë trafikant i qenieve njerëzore, pastaj parash, tani dalin hajdut makinash. Është histori e sajuar, që nuk ka lidhje me mua, unë deklarimet i kam bërë të qarta. Nëse kanë fakte mund të kishin shkuar në prokurori. Unë kam lindur Mark Babani dhe jam Mark Babani, as Sajmir e as kushdo tjetër.
Unë në jetën time nuk kam qenë kurrë as i arrestuar as i ndaluar prej policisë.
Unë nuk kam asnjë person të fisit tim që e ka emrin Sajmir, të emrave që kam bashkëjetuar atje. Kur kemi punuar atje kemi qenë shumë shqiptarë, por kjo nuk ka lidhje me emrin tim. Para se prokuroria të dalë me një vendim do t'i bëj denoncim zotit Gazmend Bardhi për shpifjet që ka bërë karshi figurës sime.
Unë jam Mark Ndoc Babani, nuk kanë shans t'më bëjnë Sajmir. Unë nuk kam ndryshuar asnjëherë emër. Mbiemrin e kam ndryshuar në momentin që e kemi bërë si familje nga Babaj në Babani. Kam deklaruar edhe ditëlindjen tjetër edhe mbiemrin tjetër.
Të jesh 24 orë në burg në zonën tonë e merr vesh gjithë dynjaja", tha Babani.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Bardhit i cili thumboi sërish Babanin duke thënë se do t'i duhen avokatët për të negociuar vitet e burgut. Ai i kujton Babanit dy data teksa e paralajmëron se lidhur me këtë do të publikojë fakte të tjera në vazhdim.
"Marq Babaj bën shumë mirë që paska avokatë, se do t’i duhen për të negociuar vitet e burgut për fshehje të faktit që është arrestuar për vjedhje makinash në Siçili më në 4 Prill 1994. Derisa të bëjë gati padinë ndaj meje, të përgjigjet edhe për një fakt tjetër nga jeta e tij nëpër “hotelet” e Italisë. Në datën 24 Janar 1996 në cilin hotel ke bujtur? Nëse për këtë Marq Babaj nuk e ka kujtesën shumë të fortë, do t’ia rifreskojmë në vazhdim. Mirë është që hajduti i makinave të Siçilisë të mos ia qajë hallin Edi Ramës, se atij i duhet avokat për vete. p.s: Kur Marq Babaj të më padisë, të më njoftojë me cilin nga 4-5-6-7 emrat që ka përdorur Mark Babani i Edi Ramës për t’iu fshehur drejtësisë italiane, duhet ta kërkoj në sistemin e gjykatës", thotë Bardhi.
tani qe ke qene i denum e i ndalum dihet o mark thum gabim qe e ke fsheh.
Përgjigju