Gjykata e Apelit ka liruar nga akuzat, 4 punonjësit e postës së policisë në Velipojë, të cilët u arrestuan një muaj më parë, me akuzën se favorizuan kultivimin e kanabisit. Gjykata e Rrethit kishte vendosur masën "arrest shtëpie", ndërkohë që sot trupa e Apelit me në krye gjyqtarin Fuat Vjerdha ka vendosur si arrest të paligjshëm për katër efektivët e policisë.

Janë liruar nga akuzat, n/komisar Zamir Sytari, 40 vjeç, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Velipojë; N/Komisar Arben Hoxha, 45 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Velipojë; Inspektor Ergys Lohja, 34 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë; Inspektor Hysni Beqiri, 53 vjeç, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, në Stacionin e Policisë Velipojë.

Akuzat e ngritura ndaj tyre u zbehen në sallën e gjyqit, kur vetë efektivët kanë treguar se kanë qenë vetë këta të fundit që kanë zbuluar parcelën me kanabis, duke kryer më pas asgjësimin e 560 bimëve. Ky nuk është rasti i parë që të tilla operacione që finalizohen me bujë, shfryhen më pas në gjykatë për shkak të provave që rrëzohen dhe dëshmive që japin vetë të akuzuarit.