TIRANE-Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Arben Dollapaj. Prokurori kaloi shkallën e parë të vettingut, por pas ankimimit të Komisionerit Publik, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të ndryshonte vendimin duke e shkarkuar.

"Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Luan Daci relator, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli sot vendimin për çështjen (JR) nr. 40/2018, datë 18.12.2018, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, kundër vendimit nr. 63, datë 06.08.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Arben Dollapaj.

Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues, në mënyrë unanime, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 63 datë 06.08.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Arben Dollapaj, prokuror, në momentin e fillimit të procesit të rivlerësimit, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në momentin e shpalljes së këtij vendimi. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm" thuhet në vendim.

Komisioneri Publik e ankimoi me argumentin se subjekti i rivlerësimit, Arben Dollapaj ka tri pasuri të paluajtshme, një apartament në Bajram Curri, një shtëpi në Valbonë dhe një shtëpi në Selitë, në Tiranë. Komisioneri Publik i kërkoi KPA-së një hetim më të thelluar për dy banesa, atë në Valbonë, si dhe banesën tjetër në Selitë. Kjo, pasi sipas Komisionerit Publik, KPK nuk ka kryer hetim të thelluar dhe se për Dollapajn kanë ardhur ankesa nga publiku pas vendimit për konfirmimin e tij.

Në parashtrimet e tij, Komisioneri Publik tha se shtëpia në Valbonë e deklaruar si shtëpi banimi, sipas denoncuesve është ndërtesë e përshtatur për hoteleri për shkak edhe të zonës turistike ku ndodhet, gjë kjo e cila u hodh poshtë nga prokurori Dollapaj. Ndërsa për banesën në zonën e Selitës e cila është blerë 3.9 milionë lekë, Komisioneri Publik tha se banesa kap vlerën e 5 milionëve, dhe për këtë gjë ka dyshime se çmimi mund të jetë favorizues. Dollapaj, nëpërmjet avokatit të tij Viktor Gumi tha se këtë banesë vëllai i tij e ka blerë tek një shtetas kosovarë, ku ky i fundit e ka ndërtuar në vitet '93 dhe vlera shkon në 2.6 milionë lekë, duke deklaruar se kjo banesë është blerë më shtrenjtë se vlera reale.

Ndërkohë, në dy kriteret e tjera, atë të pastërtisë së figurës dhe anës profesionale, prokurori Dollapaj doli i pastër. Prokurori Dollapaj u transferua në Shkodër në kohën që në krye të organit të akuzës ishte Adriarik Llalla me të cilin pati përplasje. Dollapaj ka pasur në shqyrtim disa nga çështjet më të rëndësishme, si “Banda e Lushnjes”, “Gërdeci” ku kërkoi rrëzimin e vendimeve të Shkallës së Parë dhe burgosjen e të pandehurve, ndërsa tashmë doli jashtë sistemit.