TIRANË- Dy muaj pas arratisjes nga burgu i Shënkollit, Daut Laze u arrestua mbrëmjen e 14 prillit në zonën e Astirit pranë banesës së tij. Report Tv mëson se prej dy muajsh, Daut Laze është fshehur nëpër disa xhami në Tiranë, në Fresk, Kombinat, Yzberisht, Astir.

Për shkak të muajit të Ramazanit, e ka pasur më të thjeshtë të kamuflohet, pasi besimtarët i kanë ofruar ushqim dhe fjetje. Burime bëjnë me dije se agjentët e Komisariatit nr. 6 kishin informacion se do të kthehej në shtëpi, kanë pritur dhe sapo ka hyrë te rrugica e kanë kapur. Nuk dihet nëse ka qenë apo jo më parë në banesë, pasi familjarët e tij nuk kanë qenë fare bashkëpunues me policinë.

"Kapet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, shtetasi Daut Laze, 49 vjeç, i cili u arratis nga Institucioni i Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë, me datë 04 shkurt 2025. Bazuar nga informacionet e marra nga inteligjenca policore, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në Astir, u bë kapja e shtetasit të shpallur në kërkim Daut Laze, 49 vjeç, banues në Astir. Ky shtetas, me datë 04 shkurt 2025, u arratis nga Institucioni i Posaçëm Mjekësor në IEVP Lezhë. Veprimet e metejshme do të kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë", njoftoi Policia e Tiranës.

Daut Laze ishte arrestuar në nëntor 2021 për veprën penale të dhunës në familje. Në nëntor 2024, Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e mjekimit të detyruar në një institucion mjekësor. Më 4 shkurt 2025, gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në Institucionin e Posaçëm Mjekësor në Burgun e Shënkollit, u konstatua mungesa e tij. Sipas autoriteteve, Laze kishte shfrytëzuar momentin për t'u larguar nga rrethimi i burgut duke kapërcyer murin në anën jugore të burgut.

Si përgjegjës për arratisjen e 49-vjeçarin, gardianët Gjin Ndoka punonjës shërbimi në kupolë, Mark Nikolli punonjës në sektor (grup sigurie) janë nën hetim dhe u është caktuar masa e sigurisë "Arrest në shtëpi: nga Gjykata e Lezhës, ndërsa ndaj Zhaneta Mellas, (operatore kamereve) është vendosur masa e sigurisë "Detyrim Paraqitje".